Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi me anë të një statusi në “Facebook” shprehet se gjyqtarët duhet të mos japin mandatet e kryebashkiakëve të datës 30 qershor.


Bardhi tha se mandatet e 30 qershorit janë nul, antiligjore dhe se zgjedhjet e kësaj date e kanë dërguar vendin 30 vjet pas. Ai shtoi se gjyqtarët duhet të shpallin të pavlefshme mandatet e zgjedhjeve antikushtetuese.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI


Të dashur bashkëqytetarë!


Këmbëngulja kriminale e Edi Ramës për të zhvilluar votimet e paligjshme dhe antikushtuese të 30 Qershorit e ka çuar vendin 30 vjet mbrapa, në prag diktature, ku çdo pushtet e ka nën kontrollin një njeri i vetëm. Sot, askush nuk mund të pohojë se votimet e 30 qershorit ishin demokratike, se ato respektuan Kushtetutën, respektuan të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe u kryen në funksion të interesit publik.

Me pohimin se “Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund të bëjë vlerësimin e kushtetueshmërisë së Dekretit të Presidentit”, Misioni i ODIHR-it, i ka vënë 30 Qershorit, de fakto, vulën e paligjshmërisë.  Si një vend me kornizë ligjore kushtetuese demokratike, ekziston akoma mundësia që votimet e 30 qershorit të refuzohen edhe “de juro” si të paligjshme. Këtë mund ta bëjnë gjykatat në të gjithë Shqipërinë.

Të nderuar qytetarë!

Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit.

Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve.

Gjyqtarët, ku kandidatët e votimeve të shfuqizuara me dekretin e Presidentit, do të paraqiten për të marrë mandatin e paligjshëm, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm.

  1. Të mos japin mandatet, duke vërtetuar pavlefshmërinë e 30 Qershorit.
  2. Të pezullojnë gjykimin, për shkak se çështja nuk mund të zgjidhet para se Gjykata Kushtetuese të vendosë për dekretet e Presidentit të Republikës.

Sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur, Dekretet e Presidentit të Republikës janë në fuqi dhe të detyrueshme për zbatim.

Kushdo që pohon të kundërtën, nxit anarkinë, nxit vetëgjyqësinë, nxit anormalitetin. Këta gjykatës kanë dorë të vendosin nëse shqiptarët do të kenë mundësi të nisin së shpejti bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian apo do të jenë njerëz të izoluar, që jetojnë në një diktaturë të re në shekullin e 21.

Kjo është pengesa e fundit institucionale mes demokracisë dhe diktaturës! Është pengesa e fundit institucionale që Edi Rama të marrë nën kontroll të plotë, me votime të paligjshme, edhe hallkën e fundit të pushtetit në vend, pushtetin lokal. Ne nuk kemi për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit.

 (d.xh/Balkanweb)