TIRANË

Deputetja e PD-së Dhurata Çupi ka folur në emisionin “Frontline” në News24 për situatën në PD dhe mundësitë për bashkimin e dy grupeve para zgjedhjeve vendore.

Çupi u shpreh për një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore 2023 dhe se tha se nuk do të ketë më 6 mars.

Ajo tregoi më tej se ka pasur një komunikim mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës. Sa i përket reformës territoriale ajo tha se të dy propozimet nga dy grupet janë të njëjta.

“Propozimi është i njëjtë. Unë kam komunikuar me figura të PD-së. Ky raport është bërë nga ekspertët. Njëri nga ekspertët. Haxhimali, ka qenë ekspert zyrtar në komision, por ka qenë ekspert i gjithë grupit, një emërues i përbashkët. Më vjen mirë që materiali është pothuajse i njëjti. Kemi shoqëruar pjesën e hartës dhe me pjesën teorike. Nuk ka kundërshti dhe për referendumin. Më ka ardhur mirë që materiali ka qenë i njëjtë, përbashkues. Nuk kemi pasur problematika për mosdakordësi.
E them përsëri një kandidat i përbashkët. Opozita duhet të ketë një kandidat të përbashkët, për tua kthyer bashkitë qytetarëve. Z. Bardhi dhe z. Paloka do të vendosin. Nuk ka perceptim tjetër, i vetmi perceptim është që çdo votë që kërkon të votojë opozitën ne duhet ta marrim, të maksimalizojmë votën. Kemi kaluar një vit krize, zgjedhjet vendore duhet të jenë pika ku duhet të bashkohemi. Nuk besoj se do ketë më 6 mars. Demokratët e thjeshtë e shohin në sy pjesën lartë të PD-së që të mund të bashkohemi”, deklaroi Çupi.

Ajo tha më tej se për shkak të keqqeverisjes opinioni publik ka në fokus opozitën.
“Në një bisedë me z. Bardhi po tregonte që ka komunikuar me z.Paloka. Ai ishte jashtë në një vizitë zyrtare, pritet që të kthehet z. Paloka. Dhe ne mezi presim. Ajo çfarë të dhemb, i gjithë opinioni merret me opozitën, për shkak të keqqeverisjes. Përballemi me një maxhorancë të korruptuar, një qeverisje të korruptuar që nuk bën asgjë për qytetarët. Më vjen keq që vazhdon të merret gjithë opinioni me opozitën dhe pse është pasuri e rëndësishme”, tha Çupi.

Sa i përket votimit në parlament të reformës territoriale dhe mundësisë që të ketë rrjedhje votash, ajo foli e sigurt për votat e opozitës dhe madje theksoi se shpreson që edhe deputetë të maxhorancës t’i bashkohen.

“Unë flas për votën time. Vullneti im nuk ka ceduar asnjëherë për të mbrojtur interesat e opozitës. Uroj që shumë deputetë të maxhorancës t’i bashkohen votës së opozitës. Kam besimin e plotë që asnjë deputet i opozitës nuk do cedojë. Ka një interes shumë të madh të qytetarëve për këtë reformë, nuk më ka ndodhur asnjëherë që qytetarët të kenë kaq shumë interes për një reformë. Mos ta shikojmë reformën territoriale, si një reformë e momentit që i shërben interesave partiake, por që iu shërben qytetarëve”, u shpreh deputetja e PD.

Lidhur me progres raportin e KE-së ajo tha se duhet të pranohet ashtu siç është.

Çupi u shpreh kundër amnistisë fiskale, për të cilën tha se është në shërbim të qeverisë.
“Amnistia fiskale është në shërbim të kësaj qeverie. Nuk e ka pranuar opozita, nuk e pranojnë as aleatët tanë të huaj. Mjafton raporti i KLSH-së për miliarda lekë dëm ekonomik. Nuk është fare argumenti që po ndihmojmë emigrantët. Është politika hileqare e qeverisë për të legalizuar paratë e krimit”, tha Çupi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb