Gazment Bardhi u përfshi nga debatet me ministrin e Financave, Petrit Malaj gjatë seancës së Kuvendit. Teksa po diskutohej projektligji për buxhetin faktik, Bardhi iu drejtua Malajt se i ka kaluar Ministrisë së Infrastrukturës 260 mln euro për tre projekte rrugore. Ai tha se “qeveria gjen para për Belinda Ballukun dhe Ministrinë e saj, por jo për të rritur pensionet dhe ndihmën ekonomike”.

Kreu i grupit parlamentar demokrat akuzoi ministren e Infrastrukturës se është përgjegjëse për rritjen abuzive, sipas tij, të kostos së ndërtimit të tunelit të Llogarasë me 50 mln euro të cilat sipas tij përfunduan në Turqi. “Si ka mundësi zoti ministër ju gjeni 260 mln euro që Belinda të bëjë procedurat siç bëri me tunelin e Llogarasë nga 140 në 190 mln euro për 2 muaj, 50 mln euro ia çoi kompanisë në Turqi dhe s’dihet ku shkuan…”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh se projektet për të cilat ngriti akuza Bardhi kanë nisur vite më parë, por janë rishikuar dhe për to po vijon puna pasi është realizuar edhe studimi i fizibilitetit.

Debati

Gazment Bardhi: Tre projekte rrugësh që kanë nisur në 2023, por buxheti nuk kishte parashikuar fonde. Ju miratuat një fond paraprak në vitin 2024 dhe në rishikimin e buxhetit i dhatë Ministrisë së Belinda Ballukut edhe + 260 mln euro për tre rrugë. Pasi i kishit dhënë po kaq para 4 muajsh. Si ka mundësi zoti ministër ju gjeni 260 mln euro që Belinda të bëjë procedurat siç bëri me tunelin e Llogarasë nga 140 në 190 mln euro për 2 muaj, 50 mln euro ia çoi kompanisë në Turqi dhe s’dihet ku shkuan… Ju gjeni miliona euro për t’u transferuar në mënyrë abuzive jashtë vendit dhe po prap t’i merrni brenda vendit t’i fusni në xhepat tuaj dhe nuk gjeni mundësi as në 2023, as në 2024, as në 2025 për të rritur pensionet qoftë edhe minimalisht pensionet e 700 mijë shqiptarëve që sot jetojnë në kushtet e mbijetesës. Ju gjeni 260 mln euro që të bëjë procedurat Belinda dhe nuk gjeni para për të rritur ndihmën ekonomike të qytetarëve në nevojë.

Petrit Malaj: Për tre projektet që i referoheni, janë projekte që datonin prej shumë vitesh, janë rishikuar duke u bazuar në çmimet aktuale të vlerës së projekteve dhe gjithçka është bërë në përputhje me projektin e WBIF dhe të gjitha vlerat të bazuara në studime të mirëfillta fizibiliteti. Sa i takon buxhetit të vitit 2025 është buxheti më i madh që ka njohur vendi, është buxheti i cili ka më shumë shpenzime dhe investime kapitale, ka alokuar më shumë fonde për mbrojtjen sociale dhe po të bëni verifikime edhe në rajon Shqipëria është vendi që shpenzon më shumë për çështjet sociale. Rriten investimet dhe ul borxhin publik në nivele historike, nga 70.4% që e morëm në 2013 po e çojmë në 55.8%. Është ulja e borxhit më e madhe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb