Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas publikimit të dokumenteve nga ana e kryebashkiakut të ri të Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili tregonte se ai nuk është i dënuar në Itali.
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PD, Pjetri ashtu si Elvis Roshi fshihet pas dëshirave të pa vlerë të penalitetit, ndërkohë që për të shtron edhe një pyetje duke i kujtuar 27 janarin e vitit 2003.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Edi Rama detyroi serish Valdrin Pjetrin të mashtrojë për të mbuluar të kaluarën e tij si trafikant droge. Pasi dështoi me TIMS-in, që fakton se Valdrin Pjetri nuk ka shkelur në Itali për 7 vjet, trafikanti i Ramës publikoi dokumente që mashtrojnë opinionin publik për të kaluarën e tij kriminale.
Njëlloj siç bëri edhe Elvis Rroshi për të fshehur dënimin, edhe Valdrin Pjetri, sot publikoi dëshminë e penalitetit si çertifikatë virgjërie.
Ky dokument nuk ka asnjë vlerë.
Kushdo e di që pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, dënimi i marrë në të shkuarën nuk shkruhet më në dëshminë e penalitetit.
Ky është edhe rasti i dokumentit të publikuar nga Valdrin Pjetri. Ai dokument nuk provon që një person nuk ka qenë ndonjeherë i dënuar.
Për t’i rifreskuar kujtesën drejtuesit politik të Edi Ramës në Qarkun Shkodër, për sonte po bëjmë vetëm 1 pyetje:
Çfarë të kujton data 27 Janar 2003?
BalkanWeb