TIRANË

Partia Demokratike iu ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestëssë 21 qershorit.


Në një deklaratë nga selia e PD, sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi tha se shqiptarët janë të vendosur për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të lira. Ai deklaroi se qytetarët do të bashkohen të premten e ardhshme, më 21 qershor, si kurrë më parë në histori, për t’i treguar botës mbarë vendosmërinë e palëkundur.


“Shqiptarët janë dëshmitarë se përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild nuk janë një rast i shkëputur. Disa muaj më parë, investigimi i Zërit të Amerikës paralajmëroi shqiptarët sesa e thellë ishte gropa e krimit dhe e korrupsionit, në të cilën ishte futur Edi Rama, duke tërhequr me vete edhe Shqipërinë. Përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës, edhe ato pjesë e dosjes 339, tregojnë se Edi Rama kontrollon gjithçka, nga rezultati i zgjedhjeve në bashkëpunim me bandat, deri tek emërimi i policëve në burgje”, tha Bardhi.


Sipas tij, nuk ka sot asnjë shqiptar apo mik të Shqipërisë që nuk e di se Edi Rama është arkitekti i vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri nëpërmjet paktit të tij me krimin e organizuar.
“Nuk ka sot asnjë dyshim, se Edi Rama, si përgjegjës kryesor i krizës politike, kushtetuese, i krizës ekonomike dhe sociale në vend, si përgjegjës për mbylljen e derës së Europës dhe si rreziku më i madh për rikthimin e vizave për shqiptarët, duhet të largohet.
Largimi i Edi Ramës si standardi minimal europian i një kryeministri të kapur në flagrancë në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe oligarkinë duke vjedhur zgjedhjet, taksat dhe pasuritë publike të shqiptarëve është hapi i vetëm që i hap rrugën një zgjidhjeje politike sipas standardeve demokratike perëndimore, krijimit të një qeverie tranzitore për t’i garantuar vendit zgjedhje të lira e të ndershme.
Me këtë qëllim, qytetarët do të bashkohen të premten e ardhshme, më 21 Qershor, si kurrë më parë në histori, për t’i treguar botës mbarë vendosmërinë e palëkundur se ne, shqiptarët, nuk heqim dorë nga aspirata për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!”, deklaroi Bardhi.

Ai tha se tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.
“Boll më me Shqipërinë që duan Edi Rama, një grusht pushtetarësh të korruptuar në palcë, një grusht kriminelësh dhe oligarkësh grabitqarë! Tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve!”, përfundoi Bardhi.

(BalkanWeb)