TIRANË

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nga selia blu tha se Valdrin Pjetri është subjekt i dekriminalizimit pasi rezulton i dënuar për trafik droge në Itali. Ai tha se shefi i qeverisë detyroi Valdrin Pjetrin të gënjente hapur dje qytetarët shkodranë.

Për Bardhin, Edi Rama po e fakton me heshtje denoncimin e Partisë Demokratike, e cila i kërkoi  ditë më parë prokurorisë të nisë menjëherë verifikimin e pastërtisë së figurës për kryebashkiakun të ardhshëm të Shkodrës, Valdrin Pjetrin.

“Edi Rama e ka ditur se Pjetri është i dënuar për trafik droge në Itali, por i besoi atij drejtimin politik të qarkut më të madh neveri. Dje Edi Rama e detyroi Valdrin Pjetrin që të gënjente hapur qytetarët shkodranë. Valdrin Pjetri është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Heshtja e Edi Ramës e provon se e ka kryer këtë verifikim”-tha ai, duke i kërkuar dorëheqjen.

DEKLARATA E PLOTË
Edi Rama është sot promovuesi më i madh i krimit në Shqipëri. Që prej ardhjes së tij në pushtet, ai ka promovuar në politikë mbi 300 zyrtarë nga niveli më i ulët deri tek deputetë dhe kryetarë bashkie.

Pushteti i tij i ka themelet tek krimi dhe kjo është arsyeja pse ai nuk heq dorë nga promovimi i trafikantëve të drogës në majat e pushtetit të tij.
Valdrin Pjetri është njëri prej tyre.
Edi Rama e ka ditur që Valdrin Pjetri është dënuar në Itali për trafik droge, por sërish, i besoi atij drejtimin politik të qarkut më të madh të veriut të vendit.
Heshtja e Edi Ramës tregon se ai e ka ditur këtë fakt, kur e emëroi Drejtor të Hipotekave, kur e emëroi prefekt të Shkodrës, kur e emëroi kandidat për Bashkinë e Shkodrës.

Me një trafikant droge në krye të bashkisë, Edi Rama ka ndërmend t’ia dorëzojë Shkodrën edhe zyrtarisht, krimit të organizuar.
Edi Rama nuk ka ndërmend të mbajë asnjë përgjegjësi që i ka propozuar shkodranëve për kryebashkiak një trafikant droge, të dënuar në Itali në vitin 2003.

Dje, Edi Rama e detyroi Vladrin Pjetrin të gënjente qytetarët e Shkodrës dhe të pohonte se ai nuk ka qenë i arrestuar, i dënuar apo dëbuar për trafik droge.
Edi Rama kërkon ta kalojë në heshtje këtë fakt tjetër të rëndë të bashkëqeverisjes së tij me krimin.
Edi Rama i ka të gjitha mundësitë institucionale që të verifikojë brenda 24 orëve që akuza e Partisë Demokratike, se Valdrin Pjetri është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe një person i dënuar për trafik droge, është e vërtetë.

Heshtja e tij provon se ai e ka kryer këtë verifikim.
Prandaj Edi Ramës, si njeriu që në politikë ka promovuar vetëm trafikantë dhe vrasës, i mbetet vetëm një zgjidhje: të ikë bashkë me Valdrinin!

Të japë dorëheqjen dhe të largohet me turp si Kryeministri, i cili u imponon qytetarëve të Shkodrës, të qeverisen nga një i dënuar për trafik droge. Të njëjtën gjë bëri me Kavajën, me Krujën, me Laçin, me Lezhën, me Tepelenën, me Vorën. Të njëjtën gjë bëri me dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë, të cilët i detyroi të përfaqësohen në parlament me vrasës, trafikantë të qenieve njerëzore dhe kriminelë të tjerë të rrezikshëm.

Partia Demokratike e siguron Edi Ramën se duke heshtur, nuk e shpëton dot as veten, as trafikantin e preferuar të drogës në Shkodër! E vërteta nuk ka për të vonuar. Makinacionet për të tërhequr Valdrin Pjetrin për të shpëtuar karrigen e Kryeministrit, siç i thonë në Shkodër, janë të dala boje.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: