TIRANE– Deputetit i Partisë Socialiste Besnik Bare ,u shpreh të dielën se, opozita nuk mund të flasë për reformat që po ndërmerr qeveria, të cilat  nuk i ndërmori kurrë kur ishte në pushtet.

“Flasin për punësimin kur e lanë Shqipërinë me 1 milionë të papunë mes të cilëve mijëra e mijëra skllevër në të zezë. Ndërkohë që vetëm në një vit kemi më shumë se 81 mijë vende të reja pune dhe punonjës të rinj të regjistruar”- tha Bare.
Sipas tij, opozita flet për energjinë kur e la sistemin energjitik në prag të kolapsit dhe kompaninë me 1.1 miliardë dollarë borxhe. Ndërkohë që vetëm në një vit është bërë për rimëkëmbjen e sistemit e të Kompanisë çfarë s’është bërë në 20 vjet bashkë. Flasin për çdo gjë që rrënuan dhe madje krenohen duke treguar me gisht qeverinë sot për plagët që ata vetë ia hapën vendit, tha Bare, duke shtuar se, madje s’u skuqet faqja të flasin edhe për arsimin që e zhytën në batakun më të thellë e më të errët të këtyre njëzet vjetëve.
“Si mund të gjejë moral e të flasë ish Ministri i Arsimit i qeverisë Berisha, që e ktheu sistemin arsimor në një treg shitblerje diplomash që fatmirësisht sot po kthehet në normalitet pas mbylljes së kioskave universitare që vidhnin paratë e shqiptarëve pa pasur as licencë e as pedagoge për të dhënë mësim. 
Gropa që la pas qeveria e Partisë Demokratike gjatë tetë viteve të fundit është e madhe, edhe në arsim. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por të paktën ata që për tetë vjet e rrënuan arsimin e Shqipërinë, sot është më mirë të heshtin”-deklaroi Bare.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb