Ndërsa e quajti mashtrim për studentët Paktin për Universitetin si edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë, kryedemokrati Basha u shpreh se ka vetëm dy rrugë për ti dhënë zgjidhje situatës me arsimin e lartë në Shqipëri: anullim i menjëhershëm i ligjit korruptiv për arsimin e lartë, dyfishim i buxhetit me 74 milionë usd plus.

“Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Aktualisht kjo do të thotë një vlerë prej afërsisht 74 milionë dollarë më shumë se sa ato që janë planifikuar.” – u shpreh kryedemokrati, ndërsa sqaroi edhe mënyrën se si do të shpenzohen 74 milionë dollarë më shumë.

Pjese nga fjalimi i kreut të PD:

“Së pari, për të subvencionuar tarifat e studentëve dhe për të mbështetur përmes subvencionit social ata studentët, prindërit e të cilëve nuk kanë asnjë mundësi ekonomike që të paguajnë as shumën më të vogël për jetesën e tyre, qoftë kjo qira, ushqim, veshmbathje, libra, transport, telefon apo shpenzime të tjera të jetës së përditshme. Nuk dua të ndalem gjatë sesa i kushton një student një familjeje shqiptare, kemi mundësinë t’i rikthehemi kësaj çështje, e diskutova gjatë mbajtjes së qëndrimit tonë në parlament dhe amendamenteve, propozimeve që sollëm në parlament. Por dua t’ju them se për shumicën dërrmuese të studentëve nuk ka zgjidhje tjetër përveçse subvencionimit të plotë të tarifës. Pra, që prindërit dhe studentë të mos paguajnë as tarifën e Bachelor, as tarifën e Masterit, nëse vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj.

Për familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të ardhura në muaj, përgjysmim i tarifave për Bachelor dhe për Master. Tarifa totale e këtij propozimi të Partisë Demokratike  e zbatua me numrin aktual të studentëve në universitetet publike dhe e projektuar sipas të ardhurave që ka matur censusi dhe INSTAT-i, fatura totale që të mbulohen që të gjitha familjet nën 640 mijë lekë të vjetra të ardhura në muaj, të paguajnë zero tarifa dhe familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra të në muaj të paguajnë vetëm gjysmën e tarfiës, efekti total është 38 milionë dollarë.

Në propozimin tonë, në planin tonë për ndryshimin e buxhetit për arsimin e lartë mbeten afro 37 milionë të tjerë, për të cilat ne kemi propozuar që 5 milionë të ndahen në familje me vështirësi ekstreme ekonomike; në këtë rast përveç subvencionimit të tarifës këta studentë do të mbështetën me një subvencion të drejtpërdrejtë prej afro 2200 dollarësh në vit, para të cilat janë llogaritur duke patur parasysh koston e konviktit, qiranë e shtëpisë, nëse janë më shtëpi në qira, me një kosto minimale prej 6 mijë lekësh të vjetra në ditë për ushqimin dhe kosto të tjera që kanë të bëjnë me koston e librave, abonesë, telefonit, etj.

Pjesa tjetër e parave, 32 milionë dollarë do të investohen në infrastrukturën konviktore dhe akademike të universiteteve publike shqiptare.Ky është propozimi ynë, plotësisht i arritshëm.Le të shikojmë se ku janë këto para në buxhetin e vitit të ardhshëm.Edi Rama ka ndarë 18 milionë dollarë për rikonstruksione, për pajisje zyrash, për orendi, për blerje makinash. Ka rritur me 21 milionë dollarë shpenzimet operative të udhëtimit, të hoteleve, të biletave jashtë shtetit. Ka ndarë 12 milionë dollarë për skandalin tek Unaza e Re. Ka ndarë 21 milionë dollarë për Klodian Zoton dhe Klodianin tjetër, dy prestanomet e Arben Ahmetajt në aferën e tre incenaratorëve të Tiranës, të Elbasanit dhe të Fierit.

Ka ndarë 33 milionë dollar për Vilma Nushin, Ilir Rrapaj dhe Jani Karathanon për 3 PPP-të korruptive në shëndetësi. Po ti mbledhim të gjitha këto bashkë, janë 105 milionë dollar që Edi Rama nuk I çon për studentët, por i çon për 7 apo 8 projekte korruptive të kontrolluara nga 3-4 njerëz të lidhur drejtpërdrejtë me të dhe me ministrat e tij të korruptuar, siç është Arben Ahmetaj.Nuk po futemi këtu në shpenzimet e planifikuara për PPP-të e këtij viti. Po qëndrojmë vetëm tek këto shpenzime: 150 milionë dollarë, janë 30 milionë dollar më shumë se sa ç‘duhet për të dyfishuar buxhetin për Arsimin e lartë.Janë 30 milionë dollarë më shumë sesa duhet që gjithë familjet me të ardhura nën 640 mijë lek të vjetra në muaj, mos të paguajnë më asnjë lek për tarfiat e fëmijëve të tyre në Universitet. Dalin e teprojnë, që për afro 5 mijë studentë që vijnë nga familje në nevojë ekstreme ekonomike, shteti të disbursojë 2 milionë e 200 mijë lek të vjetra në vit për t’u paguar qiranë dhe ushqimin.Mjaftojnë për të përgjysmuar tarifën e studentëve për të gjithë ata që vijnë për familje me të ardhura mbi 640 mijë lek të vjetra në muaj.Mjaftojnë për një fond prej 32 milionë dollarësh për konvikte, për biblioteka, për auditore, për të bërë më në fund rankimin e famshëm që edhe shqiptarët ta dinë se ku qëndrojnë universitetet shqiptare në krahasim me njëri-tjetrin në cilësinë e mësimdhënies dhe të vendosin ku ti çojnë fëmijët e tyre.Dua ta përsëris qartë dhe shkoqur: Buxheti i 2019-ës i ka këto mundësi, por Edi Rama këto para nuk do që t’i çojë për studentët. Nuk do që t’i çojë për universitetet.

Do t’i çojë, e përsëris:

  • 18 milionë dollarë shpenzime luksi qeveritare.
  • 21 milionë dollarë më shumë shpenzime operative – më shumë karburant, më shumë dhoma hoteli, më shumë udhëtime me avion. 21 milionë dollar më shumë sesa sivjet!
  • 12 milionë dollarë vetëm për korrupsionin tek Unaza e re.
  • 21 milionë dollar vetëm për Arben Ahmetajn dhe inceneratorët e tij në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
  • 33 milionë dollar për Vilma Nushin, Ilir Rrapaj dhe Jani Karathano.

Këto janë prioritetet e Edi Ramës. Mbushja e xhepave të këtyre njerëzve, mbushja e xhepave të vet dhe të ministrave të vet, janë arsyeja pse Edi Rama, paratë e taksapaguesve shqiptarë, paratë e prindërve shqiptarë, në vend që t’i për Universitetet dhe studentët i vjedh dhe i zhvat me këto projekte korruptive.

Është e qartë se degjenerimi I sistemit arsimor është pasojë e degjenerimit të qeverisjes. Po të kishim një qeveri të përgjegjshme, po të kishim kontrollin dhe balancën e pushteteve, pot ë kishim një drejtësi funksionale, as Edi Rama, as kabineti i tij i korruptuar, nuk do të arrinin dot të bënin këtë gjëmë të madhe: të çonin 105 milionë dollarë në xhepat e pak vetave, ndërkohë që studentët kanë një muaj që protestojnë për kushte më të mira dhe për një arsim cilësor e modern. Akoma më keq. Nuk do të kishte mundësinë të gënjente kaq ashiqare, në dritën e ditës siç gënjeu sot.Pra, është e qartë se zgjidhja nuk është dhe nuk mund të jetë thjesht një zgjidhje matematike, një përmirësim matematik i buxhetit për të cilin ju faktova se është plotësisht i mundur.

Është dhe duhet të jetë një zgjidhje politike.Edi Rama dhe qeveria e tij, nuk qeverisin më. Ata vetëm grabisin, mashtrojnë dhe menaxhojnë krizën dhe pakënaqësinë popullore përmes propagandës, përçarjes dhe shitblerjes të çdo faktori që mund të ndihmojë në përçarje dhe në propagandën qeveritare.

Ndaj detyra jonë kryesore si opozitë është jo vetëm t’u tregojmë shqiptarëve fare qartë sesi vidhen paratë që mund të ndihmonin arsimin e lartë, por, po kështu, edhe rrugën që këto para mos të vidhen më, që kjo vjedhje të ndalë dhe taksat e shqiptarëve të shkojnë realisht aty ku ka më shumë nevojë vendi, aty ku kanë nevojë më shumë qytetarët: tek arsimi, tek pensionet, tek ndihma sociale, tek shëndetësia, tek ulja e taksave, tek ulja e çmimit të naftës dhe energjisë më të lartat në rajon.  Pra, tek një pakt i ri kombëtar zhvillimi dhe për këtë padyshim hapi i parë dhe i domosdoshëm është dhe duhet të jetë: Largimi një orë e më parë i kësaj bande kusarësh që të vjedh natën e të mashtron ditën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb