BERAT

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se bashkimi i qytetarëve rreth opozitës është i vetmi bashkim kushtetues. Nga Berati ku zhvilloi një takim me qytetarët, Basha iu premtoi protestuesve të arrestuar se ora e drejtësisë po vjen.


Ai theksoi se asgjë nuk i ndal dhe i tremb pasi luftojnë për një kauzë të drejtë. Vazhdimisht në sallë qytetarët brohorisnin dhe lëshonin thirrje “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, apo “Rama ik”.


“Bashkimi ynë, i vetmi bashkim kushtetues. Kjo nuk është fushata elektorale, është beteja e shqiptarëve kundër një kupole.
Krimit në bashkëpunim me Ramën po i numërohen orët mbrapsht. Asnjë kërcënim nuk pi më ujë. Asnjë dhunë barbare nuk bën më efekt, vetëm sa e shton vendosmërinë tonë.
Nuk do ta lëmë Shqipërinë peng të krimit dhe hajdutërisë, peng të km më të dështuar, më të paaftë e më të inkriminuar në historinë e pluralizmit. Nuk ka asnjë forcë që na ndal në kauzën tonë të drejtë. Mirënjohje për ju. Ky diell i shpresës fryt i kurajës tuaj.
Sakrifica juaj nuk do të shkojë kot, sakrifica e asnjë shqiptari të bashkuar nuk do të shkojë kot.
Ora e drejtësisë për ata që vunë dorë mbi ju po vjen. Shumë shpejt do vendoset drejtësia në vend. Dhunuesit do të marrin atë që meritojnë. Kushtetuta do iu kthejë dinjitetin dhe nderin dhe mirënjohjen e thellë për sakrificën tuaj për liri e demokraci.
Asgjë nuk na tremb, asgjë nuk na ndal sepse luftojmë për një kauzë të drejtë. Luftojmë për të kthyer parlamentin e marrë peng nga krimi. Luftojmë për votën tuaj. Ne demokratët kemi zgjidhje për ekonominë, për njerëzit në nevojë.
Këtë të shtunë një bashkim tjetër i madh zemrash dhe mendjesh do të zbarkojë në Tiranë. Nuk ka nevojë të më thoni unë e dëgjoj që Berati do të jetë në krye”, tha Basha.


(BalkanWeb)