TIRANË- Në Bajram Curri është përuruar sot shtatorja e ish-liderit demokrat Azem Hajdari, në një aktivitet të madh kur merrnin pjesë figura të ndryshme politike, intelektualë, ambasadorë etj. Në ceremoninë e përgatitur me këtë rast, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se Azem Hajdari është heroi më i ri, majë e lartë e panteonit të historisë sonë. Ai tha më tej se Hajdari shënoi hapjen e epokës së re të demokracisë shqiptare dhe se kërkoi vendosjen e pluralizmit politik deri kur armiqtë e lirisë e goditën pabesisht.

“Shumë të dashur qytetarë të Tropojës. I nderuar kryetar i Bashkisë, i nderuar doktor Berisha, të nderuar deputetë dhe personalitete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Malit të Zi, Luginës së Preshevës, shkëlqesi ambasadorë. Kam ardhur me dëshirë dhe gëzim në këtë festë të bukur, në këtë ditë solemne të rikthimit të përjetshëm të Azem Hajdarit në vendlindjen e tij të dashur, në Tropojën e tij të shtrenjtë. Këto male e di, janë plot me heroizëm dhe lavdi shqiptare që shkon thellë në histori. Azem Hajdari është heroi më i ri, është një majë e lartë e këtij panteoni të historisë sonë. Ai është udhëheqësi i lëvizjes studentore demokratike e intelektuale të dhjetorit 1990.

Tropojës i takoi nderi t’i ketë dhënë kësaj lëvizje historike që hapi epokën e demokracisë europiane në Shqipëri edhe liderin e lëvizjes studentore të dhjetorit Azem Hajdari edhe liderin historik të demokracisë shqiptare, Sali Berishën. Azem Hajdari e shënoi hapjen e epokës së re të demokracisë shqiptare, e shënoi që nga çasti kur në emër të studentëve që u ngritën bashkë me të dhe me thirrjen e tij kundër diktaturës komuniste kërkoi vendosjen e pluralizmit politik në Shqipërinë e telave me gjemba e deri kur armiqtë e lirisë e goditën pabesisht për ta ndarë në mes të një rruge të gjatë, betejash, arritjesh sfidash e sakrificash nga gjiri ynë. Beteja, arritje e sakrifica për të ruajtur busullën e kursit perëndimor të demokracisë së brishtë shqiptare”, tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se Azem Hajdari është nga brumi i atyre heronjve që me kalimin e kohës e tresin brenda emrit të tyre çdo epitet që mund të thuhet për ta. “Azemi është tribuni, guximi, trimëria, frymëzimi, është liria, është shqiptaria. Emri i tij është personifikimi i këtyre vlerave që mishërojnë dhe lartësojnë njeriun, shqiptarin, atdhetarin. Si bir i familjes ku u lind dhe i krahinës ku u rrit Azem Hajdari ju përket ju, i përket Tropojës dhe ju jeni krenar për birin tuaj. Si udhëheqës politik Azem Hajdari i përket PDSH-së, themelues dhe kryetar i parë i të cilës qe. Demokratët janë dhe do të jenë përherë mirënjohës e krenarë me prijësin e tyre të orëve të para, me tribunin e tyre të pavdekshëm. Si hero i demokracisë, Azemi i përket gjithë Shqipërisë, i përket gjithë kombit. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij”, tha Basha.

Ai u shpreh më tej se shqiptarët i detyrohen shumë me mirënjohje e nderim për gjithçka bëri e dha për lirinë e të gjithëve ne.

“Duke i prirë betejës së madhe fisnike dhe heroike për lirinë e të gjithëve Azemi fitoi përjetësinë. Ky është fati i luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore që ngrihet sot në nderim të tij është vetëm njëra nga ato që ngrihen në mbarë vendin dhe mbarë kombin. Në fakt përmendoren më të madhe të Azemit e kemi në zemrat dhe mendjet tona. Këtu në mendjet dhe zemrat tona Azem Hajdari vijon të na ndriçojë rrugën. Këtu në mendjet dhe zemrat tona Azemi na flet sikur të ishte gjallë sepse këtu është dhe do të mbetet i gjallë përherë. Kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit vjen me mesazhin e gjallë dhe frymëzues se liria nuk është një dhuratë e përjetshme. Liria iu përket atyre që e duan dhe çmojnë si më të shtrenjtën gjë në jetë. Liria shërbehet me përkushtim e sakrifica, fitohet me mundim e sakrifica. Liria është mision për drejtuesit politik. Ky është Azemi i pavdekshëm i mendjeve dhe zemrave. Do ta keni në mesin tuaj, do të zgjoheni dhe ngryseni me të. Tropoja është sot më e bukur me përmendoren e Azem Hajdarit. Mirënjohje për artistin Isa Baliaj”, përfundoi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb