TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë në homazhet në nderim të themeluesit të PD-së dhe liderit të dhjetorit Azem Hajdari, në 20-vjetorin e vrasjes së tij.

Basha u shpreh se Azem Hajdari ishte simbol i kurajës për liri dhe jeta e tij e shkurtër por e plotë duhet të frymëzojë brezat.

“Sot e kujtojmë Azem Hajdarin dhe mikun e tij të pandarë Besim Ceren në 20-vjetorin që na mori njeriun por na dha legjendën e tribunit dhe heroit të demokracisë, të pavdekshmit Azem Hajdari. E kujtojmë sot Azemin si njeri, si prind, si bashkëshort, si shok, si mik, si qytetar. E kujtojmë dhe respektojmë sot Azemin si lider si simbol të kurajës për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore. Sot më shumë se kurrë, jeta e shkurtër por e plotë e Azemit duhet të na frymëzojë”, deklaroi Basha.

Nuk mungoi as një mesazh politik nga kreu i PD-së. Basha tha se pushteti i lidhur me krimin është pengesa për ëndrrën e Azemit për Shqipërinë si gjithë Evropa

“Të shprehim vendosmërinë tonë, në ndër të gjithë shqiptarëve dhe Azemit, se nuk do i nënshtrohemi së keqes, të zotohemi para Azemit se do ta pastrojnë politikën nga krimi për t’i hapur vendit rrugën e bllokuar, se në vend do të ketë edhe liri dhe demokraci, ëndrra jote na udhëheq në betejën për fitoren e së mirës ndaj se keqes”, u shpreh Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb