Kryetari i PD Lulzim Basha nga Korça tha se ish-deputeti Klevis Balliu mbahet në arrest me urdhër të Edi Ramës dhe zagarëve të tij politik. Basha u shpreh se Rama po tregon pushtetin, duke thënë se shteti është ai, forca ai, pasi ka ngritur një pushtet të tmerrshëm kriminal, si në kohën e partisë-shtet.

“Mirë se iu gjej sot në Korçë, në mbarë rrethet e këtij qarku. Dua t’iu përcjell përshëndetjet e Klevis Balliut, që mbahet sot në arrest me urdhër të Edi Ramës dhe zagarëve të tij politikë Sandër Lleshaj, Ardi Veliu dhe kryetarit të policisë në Tiranë.

Banditët janë në pushtet. Ata nuk bëjnë dot gjë kundër bandave që urdhërojnë veprimet e tyre dhe godasin gra e fëmijë. Protestuesit e pafajshëm janë në mbrojtje të një kauze të drejtë, atë të mbrojtjes të shtëpive dhe tokave të tyre. Balliu iu doli në mbrojtje qytetarëve, të cilët u kërcënuan nga shkopinjtë e gomave të policisë dhe gazi lotsjellës. Kjo qeveri ngjan me një sipërmarrje kriminale. Por Rama dhe zagarët e tij shumë shpejt do të marrin fund”, tha Basha.

Fjala e Bashës në Korçë:

Dua t’ju përcjell sot nga kjo sallë përshëndetjet e deputetit Klevis Balliut, i cili mbahet sot në arrest politik me urdhër të drejtpërdrejt të Edi Ramës dhe zagarëve të tij politikë, Sandwr Lleshaj, Ardi Veliu dhe kriminelit në krye të policisë së Tiranës.

Mbahet në burg me urdhra të drejtpërdrejt politikë ndaj prokurorëve të kapur e të nënshtruar.
Mbahet për të vetmin faj se kur me urdhër të banditëve iu vërsulën nënave dhe baballarëve që po mbronin shtëpitë e tyre, i spërkatën me gazin djegës dhe lotsjellës, Klevis Balliu ndodhej në krahun e qytetarëve për t’i mbrojtur nga dhuna.

Ky është krimi i vetëm i Balliut, se është në krahun e qytetar. Mesazhi që do të përcjellë Rama është se unë nuk pyes, arrestoj edhe përfaqësuesit politikë të opozitës, edhe deputetë, i çoj në prokurori ata që denoncojnë, siç bëri Ervin Salianji. Mesazhi që Rama çon është se ai është pushteti, shteti dhe kur do ja merr frymën qytetarit, studentit, familjes dhe mbi të gjitha godet me padrejtësinë e drejtësisë së kapur edhe opozitën politike, që është bastioni i fundit i qëndresës kundër.

Më lejoni t’ju them se Klevis Balliu s’ka qenë kurrë më i vendosur dhe nuk ka qeli burgu që ta trembë, edhe ne bashkëluftëtarët e tij nuk trembemi nga një kufomë politike që i ka orët e numëruara. Fundi i organizatës kriminale të Rilindjes që solli kaq shumë dëme për 6 vite po afron dhe ne jemi më të vendosur se kurrë për ta çuar betejën tonë drejt fitores.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb