TIRANE

Kreu i PD Lulzim Basha është pyetur për vizitën e Ramës në Itali si dhe intervistat e tij për mediat italiane. Gjatë një lidhje telefonike për emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News24, Lulzim Basha tha se Rama është në grahmat e fundit dhe duhet shembur sistemi jo vetëm largimi i tij.

Unë nuk merrem më me Ramën, se ai është përfaqësues i një sistemi të shembur. Ai mund të bredhë si Arafati dhe asnjë se pret. Me lekët e shqiptarëve e shqiptarëve paguan cdo sekondë të propagandës së tij. Por këto janë grahmat e fundit të tij, e keni parë këto gjëra i bëjnë në shfaqjet e fundit të autokratëve dhe diktatorëve, gjëra që kanë bërë autokratët e korruptuar nga Ukraina deri këtu në vendet e Ballkanit. I kanë bërë dhe diktatorë si Gadafi dhe as e kanë ndalur dhe as nuk e kanë ngadalësuar rrjedhën e ngjarjeve. Ajo që me të cilën po merremi tani, nuk është thjeshtë dhe vetëm aksioni qytetar që do të vazhdojë pa dyshim, deri në zhbërjen de facto të asamblesë së krimit, se parlament legjitim dhe qeveri legjitime republika e Shqipërisë nuk ka më.

Në të vërtetë kjo është një gjendje që duhet të mbarojë një orë e më parë, të paktën në këtë pikë jemi dakord edhe me ata burokratë të Europës të cilët flasin me patate në gojë. Por ajo që ne duhet të merremi është projekti pas kësaj, se nuk është thjeshtë çështje e largimit të Ramës, ky sistem duhet shembur me themele dhe duhet rrafshuar në mënyrë të tillë që të mos lejojë mbirjen e asnjë Rame tjetër, pavarësisht se me çfarë ngjyre vjen apo përfaqësohet para shqiptarëve. Për këtë, unë së bashku me Partinë Demokratike, jemi të vendosur bashkë me opozitën, që së bashku me qytetarët të diskutojmë dhe ti japim jetë një projekti të ri i cili të hedhë bazat për një demokraci me të të vërtetë të standardëve europiane. Të ketë kufizim të pushtetit, të ketë kufizim të zgjatjes në pushtet të personave që iu besohen celësat e qeverisjes. Të ketë institucione që të kontrollojnë këta persona që asnjë person të mos ketë pushtet të pakufizuar.”- tha Basha.

Basha ka thënë se i kane shkurtuar minutat tek prononcimi i tij për emisionin e Bruno Vespas ‘Porta a Porta’, pasi marrëveshja ishte se do transmetohej 3 minuta e gjysmë, por emisioni ka transmetuar vetëm 1 minutë e gjysmë të intervistës së tij.

Më kanë shkurtuar minutat, pasi marrëveshja ishte që do më jepnin tre minuta e gjysmë. Bëra një gabim. Por pak rendesi ka kjo. Këto janë pleshtat e fundit të qenit që ka ngordhur“- tha Basha.

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se nuk bëhet fjalë për luftë mes palëve politike, por për Shqipërinë e së nesërmes.

Çështja nuk shtrohet nëse opozita duhet të veprojë si njësit guerrilë e të hedhë molotov. Çështja nuk është për të vendosur një mur ndarës mes një grushti shushunjash që grabisin miliarda. Unë jam më i interesuar si lider i PD që të bashkojmë edhe ata të majtë.  Interesi im është ne të bashkohemi si shqiptarë.  Kjo nuk është luftë mes palëve politike por për Shqipërinë e së nesërmes. Si do jetë Shqipëria e nesërme, si vendet e Afrikës apo si vendet perëndimore? Për të dytën duhet bashkim dhe jo mure”- tha Basha.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: