TIRANE – Një ditë pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 21 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thekson vendosmërinë e opozitës për të nisur betejën për rikthimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri. Duke përmendur konkluzionet e raportit, Basha theksoi se çdokush që ka prekur votën e qytetarëve do të mbajë përgjegjësi. Pa dhënë detaje për mënyrën se si do të zhvillohet aksioni opozitar, Basha tha se PD, së bashku me qytetarët, e ka të qartë rrugën e saj për rikthimin e zgjedhjeve të lira në vend.

Kryetari i PD-së theksoi se të gjitha problematikat e evidentuara në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet e 21 qershorit, janë denoncuar më parë nga opozita.
“Më 21 qershor në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Raporti konkludon se liria e votuesve për të hedhur votën e tyre të lirë dhe pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë u dhunua. Zhbërja e standardeve themelore të zgjedhjeve nuk erdhi as për shkak të mungesës së legjislacionit, a thjesht prej mungesës së vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira e të ndeshem, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të kapur pushtetin me çdo mjet”-tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi se raporti sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë mes partive e alternativave, por shteti kundër qytetarëve.

“Në çdo faqe dhe rresht të raportit damka e zezë e zgjedhjeve të 21 qershorit është e pranishme. Blerja e votës identifikohet si problem. Blerja e votës nxiu standardin e zgjedhjeve. Raporti konstaton votimin në grup. Raporti thekson edhe raportimet për marrje të kartave të identitetit, çka pengon zgjedhësit të votojnë. Zgjedhësit u intimiduan nga prania e madhe dhe kërcënuese e përfaqësuesve të PS dhe LSI para qendrave të votimit. Në raport theksohet problematika e kandidaturave me të shkuar kriminale”-deklaroi Basha.

Sipas Bashës, “dyshja Rama-Meta rekrutoi bandat dhe i vërsuli ditën e zgjedhjeve me mbrojtjen e policisë. Bleu votat me paratë e drogës. Dyshja Rama-Meta urdhëroi me zë drejtorët të mbushin kutitë e votimit. Importoi kundër ligjit dhe mbushi listat. Dyshja Rama-Meta u soll si bandë dhe futi në punë bandat e armatosura”.

RAMA: PD LEXON RAPORTIN SI SUDJA “FINANCIAL TIMES”

Kryeministri Rama ka ironizuar deklaratat e kreut të opozitës lidhur me raportin e OSBE/ODIHR-it, duke thënë se PD-ja flet, por nuk di çfarë flet. Në reagimin e tij në “Twitter”, Rama shkruan:  “ #‎Vajmedet PD flet e s’di ç’flet po kur lexon Raportin e ODHIR-it ngjan tamam si te ishe Sudja duke lexuar me zë të lartë Financial Times:-)))”

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: