TIRANË

Duke mbyllur protestën në orën 13:20 të ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se dita e sotme, protesta katërt që nga 16 shkurti ka meritën se ndezi shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen.

Ai tha se zgjidhja e vetme për situatën është largimi i Ramës.

“Sot në të katërtën protestë radhazi, populli i bashkuar ka përfunduar etapën e fundit të asgjësimit të asamblesë së krimit dhe nxjerrjen e kësaj asambleje lakuriq para botës si kazani i plehrave, horave, hajdutëve e kriminelëve. Dita e sotme shkon përtej. Ka meritën e ndezjes së shpresës, besimit të çdo shqiptari për të nesërmen që po vjen. Ja ku jemi, shumë prej jush, prej orësh dhe ju nuk ju shkohet në shtëpi. Zgjidhja e vetme politike është largimi një orë e më parë i shkaktarit kryesor, autorit e përfituesit, kryezullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje e cila do të vazhdojë me bashkimin më të madh të shpresës e besimit që shqiptarët kanë njohur në këto 3 dekada. Edhe miqtë e tij më të ngushtë, dhe ata që janë përpjekur ta mbrojnë me gjysmë zëri të vërtetën që ju keni buçitur sot. Edi Rama ka mbaruar, regjimi i tij ka marrë fund”, deklaroi Basha.

Basha tha ndër të tjera se protesta e 16 marsit do jetë vendimtare, pasi do largojë sipas tij Edi Ramën.

“Sado të përpiqet ta zgjasë agoninë e tij, aq më shumë do ti shtohet makthi dhe fatura që do paguajë para drejtësisë. Dua t’u bej thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në një tjetër akt vendimtar për hapjen e portave të shpresës pa Edi Ramën dhe horrat e tij. Të bashkohemi në një tjetër akt vendimtar që do na bashkojë dyfish. Në protestën vendimtarë të 16 marsit për ta përcjellë kufomën politike. Dua t’i drejtohem çdo nëne dhe babai që të mos kenë frikë, pasi asgjë nuk e ndal popullin për të marrë në dorë fatin e tyre. Ajo që po vjen është fundi i krimit dhe arrogancës. Ajo që po ndërtojmë së bashku është Shqipëria e shqiptarëve. Mbushini zemrat me kurajon e shpresës që ju ndezët. Kurrë më hajdutëria e krimit nuk do vendosë më për ju. Mirënjohje për këtë bashkim dhe gati për uraganin popullor më 16 mars”- tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb