TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të qytetit të Pogradecit. Në nisje të takimit z.Basha bëri publike një letër të 30 peshkatarëve nga qyteti i Pogradecit të cilët bëjnë të ditur se u është rritur me 42 herë liçenca e peshkimit. Kjo shifër sipas tyre, është e papërballueshme për ta dhe e ben të pamundur sigurimin e bukës së fëmijëve të tyre. Z. Basha bëri të ditur alternativën e Partisë Demokratike të uljes së taksave, uljes së çmimeve, subvencionit etj.


“Jemi 30 peshkatarë nga Pogradeci. Liçencën e peshkimit e kemi pasur 100 mijë lekë të vjetra kurse tani na kërkojnë 4 milionë e 200 mijë lekë. Z. kryetar, për ne kjo shifër është e pamundur. Ne jemi të gjithë të papunë, si do vejë halli jonë?

As nuk u bëhet vonë fare se si do të shkojnë në shtëpi në darkë me sytë përdhe para fëmijëve të tyre që nuk kanë t’u blejnë as bukën e gojës, nuk u bëhet vonë. Kemi një alternativë, alternativën e uljes së çdo takse bashkiake dhe alternativën e madhe, platformën time për uljen e taksave kombëtare në nivelin më të ulët në Ballkan, uljen e çmimit të energjisë me 25%, faljen e çdo kamatëvonese për energjinë dhe për ujin, rritjen e rrogave dhe pensioneve, subvencione për fermerët, subvencione për peshkatarët, tha Basha.

Kryetari i PD-së tha se ka Rama-Meta nuk kanë asnjë zgjidhje, asnjë ofertë për situatën. Sot rendin nëpër Shqipëri vetëm duke sharë opozitën dhe kërcënuar qytetarët.

“I mungojnë shumë gjëra Edi Ramës në këtë fushatë, i mungon oferta, i mungon vizioni, i mungojnë zgjidhjet për ju, por mbi të gjitha i mungon një popull budalla, një popull që ti hajë broçkullat, prandaj është i dëshpëruar, prandaj ka filluar të kërcënojë qytetarët. Nuk e ndal dot vullnetin e qytetarëve Edi Rama, as me gënjeshtra, as me kërcënime. Ja, këtu kemi qënë, e kam pasur

bashkinë, e kam pasur dhe qeverinë për dy vite. Sa vende pune kanë krijuar, sa i kanë ulur taksat, i kanë rritur, e kanë rritur çmimin e energjisë, e kanë rritur çmimin e naftës”

Z. Basha solli në vëmendje edhe rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit në katër muajt e parë të vitit. 100 milion dollarë i mungojnë arkës së shtetit ndërsa 1.5 milion dollarë janë vjedhur nga fondi i rimbursimit të ilaçeve në 5 muajt e fundit.

“Shikojeni çfarë grope kanë bërë, në 4 muaj ju mungojnë 100 milionë dollarë në arkën e shtetit. Pse, taksat i kanë rritur, faturat e energjisë i kanë rritur, i kruajnë xhepat e shqiptarëve i marrin i rrasin në burg kur nuk paguajnë faturat. Ku janë 100 milionë dollarë? Kjo qeveri i vjedh qytetarët e sëmurë, merr nga xhepi i tyre, i rrit çmimet e ilaçeve dhe nga ana tjetër fondet për rimbursimet i vjedh, i vjedh 1.5 milionë dollarë janë vjedhur nga dhjetori deri në fund të prillit. Asnjë ofertë, asnjë zgjidhje për problemet tuaja. Asnjë zgjidhje në horizont për papunësinë. për varfërinë. Këtë duhet ta ndalojmë, dhe jam i bindur që do ta ndalojmë në Pogradec me Eduart Kaprin dhe kudo në Shqipëri me Partinë Demokratike”, tha Basha.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: