TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas takimit me raportuesit e KiE-s duke nënvizuar sërish mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si rruga e vetme për ecjen përpara të vendit.
Basha tha se është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin duke vendosur interesat e vendit para atyre politike. Ai i bëri thirrje Partisë Socialiste të reflektojë sa nuk është vonë.

I pyetur se ku u fokusua diskutimi me raportuesit e KiE-s, Basha tha tek kriza politike dhe asaj çfarë mund të bëjë opozita për reformën zgjedhore.

“Tek zgjidhja e krizës politike dhe gatishmëria e opozitës për të dhënë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që do t’u kthejë sovranitetin qytetarëve dhe do iu kthejë votën qytetarëve dhe do të mundësojë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare një parlament legjitim, një qeveri legjitime, sundimin e ligjit, demokracinë, si kushtet për një bashkëjetesë demokratike për mirëqenie, për punësim, për ekonominë dhe punësimin që duan të gjithë qytetarët dhe po kështu për hapjen e rrugës së bllokuar drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Basha.

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për kreun e PD nuk është çështje mendimi apo dëshire.

“Është një çështje vullneti e të gjitha palëve. PD dhe opozita e bashkuar kanë prezantuar një plant të qartë prej 5 pikash për të përshpejtuar fazën e parë, atë të reformës zgjedhore dhe pastaj duke iu garantuar qytetarëve shqiptarë lirinë e votës, duke iu garantuar qytetarëve shqiptarë të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbajtja sa më parë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në Shqipëri janë përvijuar qartësisht 2 qëndrime, qëndrimi i një shumice absolute, jo thjesht dhe vetëm të opozitës por edhe vetë socialistëve që kështu nuk mund të vazhdohet më, që kjo situatë është e paqëndrueshme, e padurueshme, duhet nëj zgjidhje dhe i një pakice absolute që nuk do ndryshim. Do ta mbajë Shqipërinë në këtë gjendje sepse në këtë gjendje vazhdojnë të përfitojnë përmes korrupsionit, përmes veprimtarisë kriminale qindra milionë euro”, theksoi kreu i PD.

Basha tha më tej se dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie, duke përfshirë dështimin me hapjen e negociatave po i paguajnë shqiptarët. “Dështimin me ekonominë, me shëndetësinë, me punësimin. Është koha për të marrë vendimin e duhur për vendin, për të vendosur interesin e vendit mbi interesat politike. nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.
Sot është e rëndësishme se përse nuk zbatohet ligji, pse mbahen në dorë Babani apo Kajmaku i Vorës. Në Shqipëri nuk ka shtet ligjor. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Një nënë keqtrajtohet, ndërsa pushtetarët e kapur në afera korruptive nuk iu hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Jemi të hapur për të gjithë instrumentet që garantojnë ecjen përpara.
PS të reflektojë sa nuk është vonë. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafund. ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt se edhe durimit të popullit po i vjen fund. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të jetë aksioner”, deklaroi Basha.

Pyetje: Zoti Basha ku u fokusua diskutimi me raporterët e Këshillit të Europës?

Lulzim Basha: Tek zgjidhja e krizës politike, gatishmëria e opozitës për të dhënë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që do t’ia kthejë sovranitetin qytetarëve, do t’ua kthejë votën qytetarëve dhe do të mundësojë, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një parlament legjitim, një qeveri legjitime, sundimin e ligjit, demokracinë, si kushte për një bashkëjetesë demokratike, për mirëqenie, për punësim, për ekonominë dhe punësimin që duan të gjithë qytetarët dhe, po kështu, për hapjen e rrugës së bllokuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Pyetje: Kur mendoni që do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Lulzim Basha: Kjo nuk është një çështje mendimi apo dëshire. Është një çështje vullneti e të gjitha palëve. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë prezantuar një plan të qartë prej 5 pikash për të përshpejtuar fazën e parë, atë të reformës zgjedhore dhe, pastaj, duke u garantuar qytetarëve shqiptarë lirinë e votës, duke u garantuar qytetarëve shqiptarë të gjitha kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. E kam thënë dhe dua ta përsëris që në Shqipëri janë përvijuar qartësisht dy qëndrime; qëndrimi i një shumicë absolute, jo thjesht dhe vetëm i opozitës por edhe i socialistëve që kështu nuk mund të vazhdohet më, që kjo situatë është e paqëndrueshme, e pambajtshme, e padurueshme, duhet një zgjidhje. Dhe qëndrimi i një pakice absolute që nuk do ndryshim, do ta mbajë Shqipërinë në këtë gjendje, sepse nga kjo gjendje vazhdojnë të përfitojnë përmes korrupsionit, veprimtarisë kriminale, qindra milionë euro, një grusht njerëzish vazhdojnë të përfitojnë në kurriz të të gjithë shqiptarëve. Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie duke përfshirë dështimin me hapjen e negociatave i paguajnë shqiptarët. Dështimin me ekonominë e paguajnë shqiptarët. Dështimin me shëndetësinë, me arsimin, me punësimin e paguajnë shqiptarët. Prandaj është koha për të marrë vendimet e duhura për vendin. Është koha për të vendosur interesin e vendit mbi interesin e forcave politike. Është koha që edhe pala tjetër ta kuptojë se është në një kurs problematik me interesin publik të shqiptarëve. Nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu.

Pyetje: Zoti Basha, kush do të jetë kryebashkiaku i rradhës i lidhur me krimin që do të denoncohet nga Partia Demokratike?

Lulzim Basha: Kur ta denoncojë, do ta keni edhe ju emrin.

Pyetje: Ka emra të tjerë?

Lulzim Basha: E rëndësishme është që të fokusohemi se përse nuk zbatohet ligji. Pse Kajmaku i Vorës apo Babani i Vaut të Dejës mbahen akoma në detyrë. Këto janë pyetje që duhet t’i drejtoni Edi Ramës. Këto janë pyetje që duhet t’i drejtoni institucioneve të kapura, të cilat zbulojnë një të vërtetë të thjeshtë: që në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, që ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Që një nënë nga fshatrat e Tiranës merret dhe keqtrajtohet, sepse shet një tufë sallatë, speca, apo domate në rrugët e Tiranës, që një baba burgoset për 3 mijë lekë të reja ne diskorkodancë totale me faturat e energjisë, ndërkohë që, pushtetarëve të kapur në afera korruptive, të lidhur me krimin, apo në shkelje të ligjit të Dekriminalizimit, nuk u hyn gjemb në këmbë. Kjo situatë duhet të marrë fund. Rivendosja e barazisë para ligjit, e shtetit së të drejtës, rivendosja e demokracisë janë jetike për të garantuar një jetë normale dhe shanse e mundësi dhe mirëqenie për çdo shqiptar.

Pyetje: Zoti Basha ju po punoni aktualisht mbi reformën zgjedhore. Deri tani janë zhvilluar dy mbledhje të grupeve të punës. E sheh si mundësi Partia Demokratike, opozita e bashkuar që, pasi të ketë finalizuar paketën e saj për reformën zgjedhore të thërrasë një tryezë të gjerë ku të ftojë edhe maxhorancën? Ky ka qenë edhe një nga propozimet që ka dhënë edhe aleati juaj z. Fatmir Mediu, i cili thotë që pasi të jetë finalizuar produkti, ndoshta duhet ftuar edhe maxhoranca dhe t’i diskutoni këto çështje ballë për ballë.

Lulzim Basha: Ne jemi të hapur për të gjithë instrumentat që garantojnë rrugën përpara, rrugën që kalon përmes miratimit të reformës zgjedhore, garantimit të vullnetit politik, më e rëndësishmja për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve vendore kushtetuese të mbajtura në një ditë.

Ajo që ka rëndësi sot është që kemi një opozitë që përfaqëson interesin e shumicës së shqiptarëve, që ka dorëzuar pushtet për t’i shërbyer interesit publik dhe që është e gatshme, e qartë dhe e vendosur për rrugën përpara, që duhet të jetë rruga e ndryshimit. Kështu nuk mund të vazhdohet më. Kemi një kryeministër që nuk ka më asnjë ide, asnjë vullnet, asnjë ofertë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë dhe është kapur me thonj pas pushtetit. Shikoni shembullin e Maqedonisë së Veriut, shembulli i përgjegjësisë politike. Një vend që, në fund të fundit, u bë viktimë e problemeve që Shqipëria paraqiti në Këshillin Europian e, megjithatë, ishte e para që ndërmori hapin normal, u ktheu mandatin qytetarëve që të vendosin qytetarët për rrugën përpara. Ky është shembulli i një politike të përgjegjshme që vendos interesin e njerëzve mbi interesat e veta, që vendos interesin e kombit, të atdheut, të qytetarëve, të vogëlushëve, mbi interesat personale të pushtetit. Nuk është kurrë vonë për të reflektuar ndaj dhe thirrja ime ndaj PS-së është të reflektojë sa nuk është vonë. Natyrisht, kjo nuk është një situatë që mund të vazhdojë pa fund, ndërkohë që ne përgatisim ofertën tonë, jo vetëm për Reformën Elektorale, por për të nxjerrë vendin nga kjo krizë, të jeni të sigurt që edhe durimit të njerëzve po i vjen fundi dhe as Edi Rama dhe as kushdo tjetër nuk mund të mendojë se do të vazhdojë ta trajtojë Shqipërinë si çifligun e vetëdhe shqiptarët si bujkërobërit e vet. Ka ardhur koha të ndërtojmë një demokraci ku çdo shqiptar të ndjehet aksionar dhe pjesëtar i përfshirë dhe i përfaqësuar në këtë demokraci, institucione që nuk i takojnë botës së krimit dhe oligarkëve dhe u shërbejnë botës së krimit dhe oligarkëve, por institucionet që u takojnë të gjithë shqiptarëve. Kjo rrugë është rruga e zgjedhjeve të parakohshme, parlamentit legjitim, qeverisë që përgjigjet para këtij parlamenti dhe para qytetarëve dhe institucioneve që e zbatojnë ligjin njësoj për të gjithë.

Pyetje: Thatë se nuk ka edhe shumë kohë. Edhe sa kohë pret Partia Demokratike zoti Basha?

Lulzim Basha: Nuk është çështja se sa kohë pret Partia Demokratike, çështja është se Shqipëria ka humbur katër herë për shkak të këtij kryeministri rrugën drejt Europës. Dera është mbyllur katër herë dhe mbyllja për herë të pestë do të ishte fatale. Ndaj, të mos humbasim asnjë orë më, por të ecim në një rrugë të qartë që tashmë është shënuar edhe nga institucionet europiane siç është Bundestag-u, atë të nëntë kushteve dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore, për t’u rikthyer qytetarëve institucioneve legjitime, për t’i rikthyer Shqipërisë normalitetin dhe mundësinë për çdo qytetar që të jetojë me djersën e ballin, me barazi përpara ligjit dhe të krijojë mirëqënie për veten dhe familjen.

Pyetje: Kryeministri nuk e ka shkarkuar z. Kajmaku edhe pse prokuroria faktoi inkriminimin e tij. A keni një koment?

Lulzim Basha: Shteti që është ndërtuar këtu, nuk është shteti i shqiptarëve, është shteti i një grushti oligarkësh dhe kriminelësh, të cilët janë mbi ligjin dhe përtej ligjit dhe, ndërkohë, institucionet që duhet të mbrojnë ligjin, godasin qytetarët e pambrojtur, i burgosin ata për hiçgjë, i deprivojnë nga aktiviteti më jetik, për bukën e gojës, ndërkohë politikanët e lidhur me krimin, politikanët e korruptuar, banditët që pastrojnë paratë e drogës, oligarkët që vjedhin nga mëngjesi në darkë, nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. E gjitha kjo është rezultat i një demokracie të rënë, i një parlamenti të kapur nga vota e krimit dhe i një qeverie që nuk i shërben qytetarëve, por i shërben këtyre dhjetë pashallarëve. Ndaj, rruga përpara është e zgjedhjeve të parakohshme që u rikthejnë qytetarëve mundësinë për të zgjedhur parlamentin e tyre, që u rikthejnë qytetarëve mundësinë që të jenë ata zotër të institucioneve të vendit, për të qenë ata zotër në shtëpinë e tyre dhe të mos ndjehen të përjashtuar nga këto institucione, të mos ndjehen të përjashtuar nga vendi i tyre, të mos shohin largimin si e vetmja mënyrë për të mbijetuar, sepse ky është një vend me mundësi të jashtëzakonshme. Nëqoftëse ne hedhim këtë hap, që jam i bindur që do ta hedhim, Shqipëria është në gjendje të prodhojë mirëqenie, shpresë, zhvillim për çdo shqiptar dhe jam i bindur që kjo është rruga e vetme dhe e shpejtë e ndryshimit që po vjen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb