TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha e cilëson Fatmir Frashërin një yll të sportit shqiptar dhe thotë se është burim frymëzimi për brezat që do të vijnë.

Në një postim në “Facebook”, Basha shkruan se Frashëri, i cili u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, na la trashëgimi historinë e veprës së tij dhe legjendën që s’do pushojë së ndriçuari asnjëherë.

POSTIMI I BASHËS
Fatmir Frashëri, një njeri i madh i sportit shqiptar u largua sot nga jeta, por na la përgjithmonë si trashëgimi historinë e veprës së tij dhe legjendën që s’do pushojë së ndriçuari asnjëherë.
Një kampion i madh në fushën e futbollit dhe në pankinë, me të tre ekipet e kryeqytetit, Fatmir Frashëri, si pakkush tjetër i mblodhi sportdashësit e të gjithë Shqipërisë nën aureolën e mbrojtësit të Përfaqësueses së Shqipërisë, ndoshta i pari mbrojtës në vend që për nga popullariteti konkurronte edhe me golshënuesit.

Në një kohë të zymtë, pak yje mundnin ta ruanin shkëlqimin e tyre dhe Fatmir Frashëri ishte një yll i sportit shqiptar, që shkëlqeu për shumë dekada, edhe në periudhën pasi e la futbollin aktiv, pasi ai shkëlqeu si trajner, shkëlqeu si mësimdhënës dhe si ambasador i shkëlqyer i vlerave që përcjell sporti.
Mjeshtri i Madh i Sportit Fatmir Frashëri tashmë e mbylli edhe kontributin e tij jetësor si mësimdhënës e zbulues i talenteve të reja, por për brezat që do të vijnë, gjenialiteti i sportit të tij, intervistat për ruajtjen e vlerave të olimpizmit dhe leksioni i mbijetesës në një regjim që qëmtonte armiq edhe tek familjet e mëdha, siç ishte familja Frashëri, do të vijojnë të frymëzojnë të rinj dhe të shërbejnë si maja që duhen arritur nga brezat e ardhshëm të futbollistëve.
I paharruar do të mbetet vepra dhe kujtimi i Fatmir Frashërit të madh të Tiranës, të Partizanit, të Dinamos dhe të të gjithë Shqipërisë.
U prehtë në paqe!

Basha Per Frasherin
Basha Per Frasherin

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb