SHKODËR

Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë në Shkodër ku ka zhvilluar një takim të zgjeruar me strukturat e PD. Nga ky takim ai ka dhënë një mesazh duke folur për një projekt ndryshimi, që PD merr përsipër për transformimin e vendit.


Ai theksoi se ‘është mbi të gjitha motivim dhe përgjegjësi për ta kthyer këtë votë masive për largimin e një regjimi antikushtetues dhe antikombëtar në një votë shprese dhe besimi për një projekt ndryshimi’.

“Ndryshimi të vërtetë, ndryshimi të qëndrueshëm, ndryshimi për çdo shqiptare e për çdo shqiptar. Ndryshim që s’mund të vijë vetëm me fjalë por me vepra dhe me garanci. Duhet të vijë me ndryshime kushtetuese, me ndryshime zgjedhore, me ndryshime politike që do i paraprijnë një transformimi të thellë në radhë të parë të ekonomisë që është dhe plaga më e rëndë e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë dhe po kështu një transformimi të thellë, modernizues për vendin”, deklaroi kreu i PD.


Basha tha se ka ardhur koha për të zgjidhjet për t’i dhënë fund ekonomisë së kapur dhe për t’iu kthyer shqiptarëve të drejtën dhe mundësitë për të jetuar e punuar me dinjitet.


“Mesazhi i fundit që dua të jap sonte është që jam shumë i vetëdijshëm për kohët e vështira ekonomike ku është zhytur Shkodra dhe mbarë Shqipëria. Nuk mjafton të themi që kjo është një pasojë e qeverisjes së dështuar, të papërgjegjshme, të korruptuar e kriminale të Edi Ramës. Tani është koha të japim zgjidhjet tona për t’i dhënë fund një ekonomie të kapur nga 5 oligarkë, 5 banda kriminale dhe Edi Rama dhe sejmenët e tij. Pra, për të liruar tregun, për të çliruar konkurrencën, për të ulur taksat, për të ulur dhe jo rritur siç ka bërë plan Edi Rama, çmimin e naftës, çmimin e energjisë, për t’i dhënë fund monopolizimit dhe kapjes së ekonomisë nga të njëjtat interesa që kanë kapur parlamentin, që kanë kapur politikën dhe për t’iu kthyer shqiptarëve përmes lirisë dhe demokracisë të drejtën dhe mundësitë për të punuar e jetuar me dinjitet”, theksoi Basha.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/BalkanWeb)