TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë t’i bashkohen protestës së dhjetë kombëtare të opozitës të hënën më 8 korrik.

Në një prononcim pas takimeve të shumta që zhvilloi pasditen e sotme në selinë e PD, Basha falënderoi shqiptarët që refuzuan diktaturën e kryeministrit Edi Rama, ndërsa theksoi vendosmërinë për të vijuar betejën.

“Dua të falënderoj nga zemra edhe njëherë mbi 85% të shqiptarëve që refuzuan diktaturën, farsën e Edi Ramës më 30 qershor. Dua t’i ftoj të gjithë këta qytetarë dinjitozë të Shqipërisë europiane, nëna e baballarë, të rinj e të reja, prindër e bij nënash shqiptare të na bashkohen ditën e hënë në orën 20:00, 8 të mbrëmjes në një protestë të madhe kombëtare për të qëndruar të bashkuar me mirënjohje të thellë, me besim tek vetvetja dhe tek njeri-tjetri dhe për të vazhduar të vendosur, pa asnjë hap pas betejën tonë për çmontimin e diktaturës, për demokracinë, për kushtetutën, për lirinë për fëmijët, familjet tuaja dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane . Të gjithë bashkë ditën e hënë, në orën 20:00 në Tiranë”, deklaroi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb