TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot pas takimit me aleatët se largimi i kryeministrit Edi Rama nuk është më i mjaftueshëm për situatën në të cilën ndodhet vendi.

Basha tha se opozita është gati të ofrojë një platformë kombëtare për daljen e vendit nga kriza. Kjo platformë sipas tij do të bëhet publike në javët e ardhshme. Kreu i PD foli edhe për protestat por tha se një datë do të jepet në të ardhmen.

“Ndodhemi para një momenti kyç, jo vetëm për atë që ka ndodhur por edhe atë që pritet të ndodhë. Në më pak se një muaj e gjysmë KiE do gjykojë përsëri nëse do t’i hapë apo jo negociatat me Shqipërinë. Natyrisht këtu kemi dy realitete: realitetin e propagandës qeveritare sipas të cilit negociatat janë hapur ka 2 vite.
Nuk e di sa shishe shampanjë janë hapur e janë pirë me funksionarë që nuk janë më në Shqipëri apo edhe funksionarë të ardhur nga Brukseli për të festuar hapjen e negociatave por të gjithë e kanë kuptuar që kjo ishte një gënjeshtër nuk janë hapur dhe negociatat nuk kanë shans të hapen me një Shqipëri që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme. Prandaj, ky është momenti që secili të marrë përgjegjësitë e veta. Ne si opozitë kemi diskutuar sot gjerësisht për përgjegjësitë tona karshi shqiptarëve dhe aspiratës sonë politike që është dhe aspirata e shumicës së shqiptarëve që është anëtarësimi në BE. Në respekt të këtyre përgjegjësive që kemi, ndiejmë dhe që priten prej nesh, siç kemi hedhur disa hapa domethënës me propozimet tona politike dhe legjislative për rikthimin e Shqipërisë në binaret e ligjit dhe shtetit të së drejtës e demokracisë jemi gati të ofrojmë dhe një platformë kombëtare për hapat që duhen të hidhen për daljen e vendit nga kriza sepse gjendja është kaq e rëndë dhe pasojat e kësaj gjendjeje janë kaq të tmerrshme mbi njerëzit sa largimi i Ramës një orë e më parë nuk mjafton. Duhet të kemi hapa të vendosur transformues për vendin. Ndryshime të thella politike, ndryshime të thella zgjedhore, reformë të thellë zgjedhore ndryshime të thella sa i përket shtetit të së drejtës ku t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe të mos varrosen çështje të rëndësishme si 184 siç është çështja 339 por të shkojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë cenuar vullnetin e shqiptarëve sepse është për shkak të tyre, këtij recidivizmi që Shqipëria ka ardhur në këtë moment shumë delikat siç konstaton dhe raporti i OSBE-ODIHR. Këto kanë qenë diskutimet tona që i kemi orientuar drejt një produkti që do e bëjmë publik në javët e ardhshme, sikundër edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin dhe aksionin opozitar dhe përgatitjen e faktorit politik që sot është shumica e ardhshme e vendit për të angazhuar të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë në një bashkëbisedim të hapur për idetë, propozimet, vizionin tonë për nxjerrjen e vendit nga kriza e trefishtë. Ajo Kushtetuese, kriza politike dhe me rëndësi shumë të madhe kriza ekonomike që ka pllakosur shumicën dërrmuese të vatrave shqiptare”, deklaroi Basha.

I pyetur nëse PD dhe aleatët kanë diskutuar një datë për rikthimin e protestave, Basha tha: “Pa diskutim që po por opozita është shumë më shumë se një grup që organizon protesta, është alternativa, qeverisja e së nesërmes. Një gjë ju garantoj sikundër dhe më parë, sapo të kemi një datë për protestë do e shpallim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb