TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndarë sot shqetësimet e tij për situatën aktuale në Shqipëri, gjatë një takimi me Drejtorin për Europën Jug-Qëndrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer.

Kryedemokrati shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, sipas tij, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.

“Partia Demokratike ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të vendit. Opozita dhe PD ofron mbështetje për Reformën në Drejtësi që në hapat e parë, si një projekt thelbësor për të ardhmen afatmesme dhe afatgjate të Shqipërisë dhe si një instrument për të luftuar disa nga problemet madhore që Shqiperia ka. Ajo që Shqipëria ka nevojë është një drejtësi e pavarur, dhe jo e kapur nga qeveria apo kryeministri; sepse një sistem gjyqësor i kapur është një sistem gjyqësor i korruptuar, në shërbim të krimit dhe politikanëve të korruptuar. Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor. Individë me rekorde të rënda kriminale, të denoncuar nominalisht, me emër me pozicione dhe me fakte, edhe nga ambasadori Lu, janë sot në krye të bashkive të vendit, në Parlamentin shqiptar dhe në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste”, tha Basha.

Kreu i PD tha se “Futja e personave me precedentë kriminale në politikë, administratë publike dhe vendimmarrje, ka ndikuar gjithashtu që droga të kthehet në aktivitetin më të madh prodhues në vend, duke sjellë investimin e krimit të organizuar në një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve nga ana tjetër, janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore”.

Sipas Bashës, sfida më e madhe sot në vend është garantimi i zgjedhjeve të lira, “në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga dhe kriminelët me mbështetje qeveritare”.

Nga ana e tij, Palmer e falenderoi Bashën për bashkëpunimin e deritanishëm, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndjekin me shumë kujdes zhvillimet në Shqipëri. Palmer tha se SHBA kanë gjithmonë nën vëmendje dhe monitorim proceset zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb