TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave dhe takimit të kryeministrit Edi Rama në Shkodër.

Ai tha se Rama iu tregoi të rinjve se çfarë nuk duhet të jetë politika, ndërsa ‘ka marrë në mbrojtje’ kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi, që u sulmua nga kryeministri.

Basha shkruan se Rama ‘çmon gratë që i sundon dhe sulmon ato që reagojnë me dinjitet, që i ka frikë’.

STATUSI I BASHËS
Çdo i ri, kur thirret në një takim nga kryeministri i vendit, me të drejtë pret të dëgjojë ide, argumente, vizione, projekte që do ta preknin jetën e tij, të ardhmen e tij.

Ndërsa sot, Rama u tregoi qartazi të rinjve në Shkodër, se çfarë nuk duhet të jetë politika. U tregoi llumin e tranzicionit që është ende prezent në Shqipëri 27 vite pas nisjes së pluralizmit.
E nisi dhe e mbaroi takimin duke fyer rëndë një kryetare bashkie, një shkodrane, një qytetare, një nënë, një grua.

Paturpësisht dhe në sy të disa 18-vjeçarëve, të cilët i ka ndëshkuar duke mos dhënë asnjë fond për qytetin e tyre vetëm sepse shkodranët nuk e kanë votuar.

Sulmet e përsëritura të Ramës ndaj zonjës Voltana Ademi, nxjerrin në pah një të vërtetë. Ky palo burrë, çmon gratë që i nënshtrohen, që i fyen, që i sundon, që i binden, që i nëpërkëmb. Ose gratë me të cilat ndan biznesin, aferat, koncesionet dhe bankat private.

Një zonjë që e kundërshton, që nuk i nënshtrohet, që reagon me dinjitet, ai e ka frikë ndaj dhe e sulmon si frikacak.

Ky është Edi Rama. Me çdo Vilmanush e çdo Linditë që bën lekë me të, që e pranon si shef, që ja përtyp fyerjet dhe fodullëkun, ai e ka në rregull. Por me çdo grua që mendon ndryshe, që ka krenari dhe forcë për të mos u përkulur, atë e kap një frikë e madhe që as nuk e fsheh dot. Ky është modeli i shpifur politik i republikës së vjetër që po zhduket.

Basha per Ramen fb

(m.k/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb