TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë sot një deklaratë të fortë nga çadra e protestës duke akuzuar publikisht kryeministrin, Edi Rama për pastrim parash.

Gjatë një komunikimi me mediat, Basha përmendi shkarkimin nga detyra të Enkeleda Shehit, bashkëshortes së kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, e cila mbante postin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare.

Sipas liderit të opozitës, ky ishte institucioni i vetëm që Rama nuk e kishte në kontroll dhe me shkarkimin e Shehit, sipas tij, kryeministrit po përgatitet për pastrim parash në shifra të mëdha.

“Enkeleda Shehi është padyshim një nga personat më të kualifikuar në Ballkan dhe Europë për punën që kryen, e vetmja që është votuar dy herë me 120 vota në Kuvendin e Shqipërisë, me dy kualifikime amerikane dhe britanike në fushën e parashikimit të dinamikave të primeve të sigurimeve. Është bashkëshortja e njëri prej krerëve të koalicioni tonë, Dashamir Shehit.
Hakmarrja politike është një dimension, por pas hakmarrjes politike fshihet diçka më e madhe. Edi Rama pasi i hapi dyert krimit të organizuar dhe parave të drogës, ka marrë në dorë një operacion masiv kombëtar e ndërkombëtar për pastrimin e parave. Për këtë arsye, qartësisht ka përfshirë familjarët e tij në një bankë të dyshuar për transaksione për pastrimin e parave, diçka që e kanë raportuar mediat për vetë bashkëshorten e tij”, – akuzoi Basha.
Sipas liderit të opozitës, “po kështu përpjekja do të jetë që të vendosen gjoba të majme ndaj kompanive të sigurimeve në Shqipëri në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Është e qartë që shteti mafioz kriminal dhe narkotrafikant i Edi Ramës nuk ndalet para asgjëje për të asgjësuar çdo institucion të pavarur. Asnjë institucioni i pavarur nuk ka mbetur pa u asgjësuar nga krimi, droga dhe nga shteti narko-trafikant i Edi Ramës.
Ka rënë Parlamenti, ka rënë dekriminalizmi, kanë rënë bashkitë e vendit, ka rënë media e cila ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm pikërisht se duhet ti shërbejë shtetit të krimit drogës dhe narkotrafikut dhe tani paska mbetur një institicion pa kapur që është Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare dhe ky do të jetë hapi i ardhshëm i Edi Ramës nesër në orën 10:00”, – paralajmëroi kreu i PD.
Basha shtoi se “në këtë realitet është e qartë qeveria e krimit, drogës, parave të pista dhe industrisë së pastrimit të parave me në krye një njeri që i dha mbështetje krimit dhe tani kërkon që ta kthejë këtë vend edhe në një Republikë të pastrimit të parave, parave të pista të politikës dhe të krimit, ndaj edhe largimi i këtij institucioni është zgjidhja e vetme.
Qeveria e narkotrafikut, drogës dhe e bandave, duhet dhe do largohet me çdo kusht. Alternativa a vetme, e vetme e përsëris, është largimi i Edi Ramës. Republika e vjetër do marrë fund me largimin e tutorit të krimit, drogës dhe parave të pista dhe s’do i hape rrugen nje republike te re për qytetarët dhe me qytetarët”, – akuzoi Basha.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb