Ndonëse nuk pati një përgjigje zyrtare për ftesën e tretë për dialog të kryeministrit Rama, kryedemokrati Basha ka zgjedhur t’i përgjigjet nga sheshi i Burrelit, aty ku është pritur nga mijëra demokratë të gatshëm për t’ju bashkuar protestës së nesërme të opozitës.

Basha tha se opozita është e vendosur të mos bëjë asnjë hap pas, ndërsa shtoi se beteja e tyre do të jetë për jetë a vdekje.

“Koha kur një grusht horrash mbanin peng një Shqipëri të tërë mori fund. Një shoqëri e lirë, e përbërë nga njerëz të drejtë mund të humbë përkohësisht rrugën, por vjen një moment që një shoqëri ka nevojë të mund të frikën, të gjejë kurajon që na bën njerëz, bij prindërish, prindër fëmijësh, na bën njerëz që duam dinjitet e nuk pranojmë më të shkelemi me këmbë dhe kjo orë ka ardhur. Ka ardhur ora dhe ne nuk do bëjmë asnjë hap pas, vetëm përpara, drejt rrugës që na çon tek vlerat europine, perëndimore. Nesër dhe në ditët e ardhëshme do të vendoset fati për 10 vitet e ardhëshme. Dhe sa i takon shumicës së bashkuar të shqiptarëve, fundi i tranzicionit dhe ëndrra jonë për Shqipërinë si gjithë Europa, do të jetë konkluzioni final i kësaj beteje.
Për këtë duam, kërkojmë dhe mirëpresim, ndihmën bujare që na ofron dhe na shtrin në momente kritike për vendin tonë, dora e aleatëve tanë perëndimorë. Mirënjohje Gjermanisë aleate dhe mike, mirënjohje vendeve të tjera të BE-së dhe SHBA, që publikisht dhe jopublikisht, nuk e lini vetëm popullin shqiptar në këtë betejë për jetë a vdekje. Një gjë është e sigurt për shqiptarët e bashkuar dhe opozitën e zhveshur nga çdo pushtet institucional, por e rreshtuar me zemër e mendje, krah qytetarëve tanë, ka vetëm një rrugë: Rruga e standarteve europiane, rruga e standarteve amerikane. Kjo nuk negociohet. Largimi i Edi Ramës nuk negociohet.”,- tha prerë Lulzim Basha.

Ndër të tjera Basha tha se: “Kombe të qytetëruara, kombe fisnike, kombe gjigante të Evropës i ka poshtëruar tirania, i ka poshtëruar dhe ua ka ulur kokën tirania në të kaluarën, po ata kanë ditur të ngrihen sepse janë përballur me të keqen dhe kanë fituar mbi të keqen. Ne u ngritëm 30 vite më parë, pas 50 viteve diktaturë dhe u përballëm me të keqen. Ne nuk do të pranojmë ta ulim më kokën kurrë. Beteja me të keqen do ta fisnikërojë Shqipërinë. Beteja me të keqen do të garantojë fitoren e vlerave, dinjitetit tuaj, jetës tuaj. Ndaj le të bëhemi të gjithë bashkë: beteja me të keqen duhet çuar deri në fund, në veçanti tani që kanë mbetur një grusht i vogël grabitësish, kriminelësh dhe horrash politikanë, në panik total nga populli i bashkuar”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb