ELBASAN

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha nga Elbasani se më datë 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën e vendit.  Basha u shpreh se Ramës do i hiqet viza e se opozita kërkon zgjedhje të parakohshme për qeveri tranzitore pa Edi Ramën.

“Edi Ramës do i hiqet viza. Iu them miqve europianë dhe ndërkombëtarë që mos të ndëshkojnë shqiptarët, mos të ndëshkojë popullin tim. Më datë 30 qershor nuk do të lejojmë krimin që dikton zgjedhjet.

Zgjedhje pa opozitën e vendit nuk do të ketë. Proces zgjedhor fals asesi nuk do të ketë. Më 30 qershor do të bashkohen të gjithë shqiptarët  për të caktuar datë zgjedhjesh, për të pasur qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër”, tha Basha.

Lulzim Basha u shpreh se më datë 11 maj do të jetë protesta tjetër e madhe e opozitës, si një betejë e shqiptarëve kundër krimit në qeveri. Basha deklaroi se opozita është e vendosur mos të bëjë hapa pas, por vetëm përpara për një Shqipëri si gjithë Europa. Sipas Bashës, opozita e sotme është maxhoranca morale e vendit.

“Mungon një qeveri e dalë nga populli, por atë e zgjedh krimi dhe droga. Dita dhe ora që qeveria të japë llogari po afron e nuk ka fuqi që e ndal një gjë të tillë. Shqipëria sot është e ndarë me thikë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve presin që ta flakin Ramën dhe shpurën e tij për të pasur parlament demokratik e afër njerëzve të thjeshtë e jo për të qenë parlamenti kriminal e i tmerrit”, tha Basha.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb