TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit se një i ri nga Kamza i kishte dhënë fund jetës në pamundësi për të paguar debinë ndaj OSHEE-së. Në një status në Facebook, Basha shkruante se Klajdi Muça kishte deklaruar në zyrën e OSHEE-së se nuk kishte ku ti gjente 80 mijë lekë të reja dhe se mundësia e vetme ishte të vriste veten.

Por pas kreut të PD-së, ka ardhur një reagim edhe nga OSHEE, e cila mohon kategorikisht se viktima kishte një detyrim kaq të madh ndaj kompanisë. Sipas OSHEE, viktima kishte probleme të tjera që po hetohen nga policia.

Ndërkaq Basha premtoi se me ardhjen e opozitës në pushtet, qeveria do paguajë 200 kw në muaj për familjet në nevojë.

DEKLARATA E BASHËS
“’Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…’ Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEE-së në Kamëz, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës.”

Fatura që i duhej të paguante, në mënyrë që OSHEE-ja të mos i priste dritat, ishte 80 mijë lekë të rinj. Klajdi, babai i një fëmije të mitur, në pamundësi të sigurimit të shumës së parave i ka dhënë fund jetës duke u vetvarur.

Kjo dramë e përsëritur këto vite për shkak të pamundësisë së pagesës së energjisë duhet të marrë fund!

Ne nuk do të lemë asnjë familje në errësirë se nuk paguan dot energjinë. Deri në 200 kw energji për muaj do ta paguajë shteti për familjet në pamundësi ekonomike.

Në qeverisjen tonë buka, uji dhe dritat do të jenë të garantuara për çdo familje. Qytetari nuk do të jetë më i harruar dhe i braktisur në dëshpërim.

REAGIMI I OSHEE: MUÇA NUK KISHTE 80 MIJË LEKË DETYRIME
Sqarim
Në lidhje me deklaratën e kreut të PD-së, i cili i referohet shkrimit të gazetës “Panorama”, sipas të cilës “31-vjeçari vrau veten se nuk paguante dot 80 mijë lekë të reja”, sqarojmë se:

***
Së pari gjejmë rastin t’i shprehim ngushëllime familjes së shtetasit Klajdi Muça për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik dhe për të hedhur poshtë spekulimet fillimisht mediatike e më pas edhe politike, sqarojmë se abonenti Klajdi Muça kishte një kontratë me OSHEE-në, dhe nuk kishte asnjë faturë me vlerë 80 mijë lekë të reja!! (kjo duket qartë nga sistemi i pagesave, bashkëlidhur njoftimit)

• Muça ishte një ndër 450 mijë abonentët që kanë lidhur aktmarrëveshje (AKM) me OSHEE për pagesën e detyrimeve të prapambetura me këste.
• Ai ka lidhur AKM me OSHEE më 22 dhjetor 2016, pasi ishte debitor. Ka shlyer një këst, bashkë me faturën e muajit përkatës me vlerë 340 lekë, dhe sipas grafikut, kishte ende kohë të paguante këstin e radhës, prej 2800 lek në zbatim të marrëveshjes lehtësuese.
• Abonentit nuk i është prerë energjia elektrike dhe në asnjë rast nuk ka qenë nën presionin e OSHEE-së.
• Muça është pritur nga specialistët teknik përkatës, dhe në asnjë rast nuk ka patur debate.
• Vlera e cituar në gazetë (80 mijë lekë të reja), nuk është aspak e vërtetë, por bëhet fjalë për konsumin e muajit janar, e cila nuk ka dalë ende si faturë, pasi paguhet në shkurt, dhe vlera e saj është 9 mijë lekë të reja. Edhe në këtë rast, abonenti kishte kohë në dispozicion për ta paguar.
• OSHEE kërkon të sqarojë, jo vetëm gazetën, opozitën, por edhe opinionin publik, se nuk është vlera 9 mijë lekë shkaku që shtyu të riun drejt vetëvrasjes, por problemet e tjera, për të cilat i takon organeve të hetimit të japin sqarime, bazuar mbi dëshminë e familjarëve!!
• OSHEE ndjen keqardhje për ngjarjen, dhe kjo fatkeqësi nuk duhet të përdoret politikisht nga opozita, apo të keqpërdoret nga media!!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb