Kryedemokrati Lulzim Basha nga selia e PD-së i tregoi sot burgun ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj të cilin e quajti veglën më të ftohtë të Ramës, por edhe oficerit të policisë, Roland Hasa që çoi në qeli ish-deputetin e PD-së Bardh Spahia.

“Ata që i shërbejnë në mënyrë të verbër Ramës le ta dinë që ai nuk iu mbron dot më, kur dhunoni njerëz mos harroni nesër do ta provoni në palcë forcën e drejtësisë. Sandër Lleshaj, vegla më e ftohtë dhe e pashpirtë e Edi Ramës shkëlqen me shërbim e tij teksa nxit vëllavrasjen, dhunimin dhe persekutimin mes shqiptarëve. Secili prej jush nga Ardi Veliu deri tek Roland Hasa me shokë edhe ju do të jeni në burg shumë shpejt. Në qelinë ku është Bardh Spahia do jetë njëri prej jush. Në qelinë ku ndodhen nëna e baballarë do të jeni ju”,- tha ai.

Kujtojmë që Bardh Spahia u ndalua nga policia mbrëmjen e djeshme teksa ishte ftuar në një studio televizive, pasi ishte shpallur në kërkim pas incidentit të ndodhur në KZAZ-në e Shkodrës, ku në mbështetje të policisë bashkiake për të zhvendosur materialet zgjedhore qytetarë e simpatizantë i vunë flakën edhe shkollës, Spahia ishte në mesin e tyre dhe u konfrontua me Policinë e Shtetit që ruante këtë KZAZ.

Ndër të tjera kryedemokrati Basha ftoi qytetarët në protestën e nesërme pa dallim partiake. Ai tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi përmes drejtësisë janë rruga e opozitës drejt së ardhmes.

“Shqipëria ka nevojë për një operacion të thellë për të hequr kancerin e së keqes dhe të tillë do ta ketë. Ajo pjesë e policisë, prokurorisë, administratës që do të mbetet do të jetë vetëm pjesa e ndershme, e aftë dhe që punon për interesin publik. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi përmes drejtësisë është rruga jonë drejt së ardhmes. Në Shqipëri nuk do të ketë më të fortë as në politikë, as në institucione dhe as në rrugë. Boll më me Shqipërinë si plaçkë e tyre. Boll më me shqiptarët kokëulur dhe në gjunjë para tyre. Është koha për Shqipërinë e te gjithë shqiptarëve. Për këtë ju ftoj te bashkohemi si popull, si njerëz të lirë, si prindër dhe bij e bija shqiptarësh të ndershëm, si qytetarë pa dallime partiake, nesër në orën 20:00 në protestën kombëtare në Tiranë”,- shtoi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb