TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vënë në dijeni sot, përfaqësuesit e FMN, z.Nadeem Ilahi dhe z.Jens Reinke për absurdin me të cilin po përballen qytetarët shqiptarë: “Eshtë vetë qeveria që nuk shprehet se sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike, – tha Basha, – ndërkohë që KESH, OST dhe OSHE që janë agjensi shtetërore, kanë dërguar kërkesat për rritje çmimi. Pra, nga njëra anë, qeveria kërkon rritje çmimi dhe nga ana tjetër nuk po ia thotë shqiptarëve sesa do të rritet çmimi,” – nënvizoi ai.

Që në nisje të takimit, Basha ndau me ta, shqetësimin mbi situatën e sektorit energjetik duke dënuar aksionet selektive të Qeverisë dhe faktin se Kryeministri kërcënon e ndëshkon qytetarët që s’kanë mundësi financiare, në vend se t’u japë atyre mundësi për të bërë shlyerjen e detyrimeve.

Sipas tij, nuk ka një reformë në sektorin energjetik, por thjesht një masë shtrënguese në kurriz të shqiptarëve, duke rritur çmimin e energjisë, duke ua ndërprerë energjinë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi janë pa punë dhe në mjerim ekonomik.

Nga ana tjetër, duke u ndalur në buxhetin e vitit 2015, kreu i PD-së u shpreh i shqetësuar për faktin se janë rritur shpenzimet qeveritare ndërkohë që janë ulur investimet, janë ulur fondet për mbështetjen sociale, nuk është shtuar numri i infermierëve apo mësuesve, por i policëve dhe i punonjësve të INUK.

Basha tha se rritja e re e taksave është e papranueshme ndërkohë që rritja e një viti më parë ka dhënë pasoja dramatike në ekonominë e vendit. Një rritje e re do të thellojë recesionin e do të ketë pasoja katastrofike.

ar.sh/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: