TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me kallëzimin penal të bëra nga IKMT për kryetarin e Bashkisë së Kavajës Isa Sakja për shpërdorim detyre.


Basha deklaron se kallëzimi penal kundër kryebashkiakut të Kavajës është sulm politik i kryeministrit të lidhur me krimin Edi Rama, i cili mbron Vangjush Dakon që pasurinë publike ua dha kriminelëve.


Sipas kreut të PD-së, as kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Basha thotë se ai e ka humbur Kavajën e do të humbë gjithë Shqipërinë.


DEKLARATA E BASHËS

Kallëzimi penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë. Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet.

Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat. Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në  lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.

As kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë!

Basha Fb
Basha Fb

(BalkanWeb)