TIRANË- Lajmi i keq për maxhorancën duket se është lajm i mirë për opozitën. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të parlamentit për të mos e futur në kalendar ligjin e opozitës për dekriminalizimin. Basha deklaron se PD do të vijojë të ndjekë kauzën e saj e cila sipas tij ka dhënë edhe frytet.

“Megjithëse edhe sot Edi Rama nuk e futi në kalendarin e Kuvendit ligjin për dekriminalizimin, kjo kauzë jetike për vendin nuk ndalet dhe po i jep frytet e veta ende pa ardhur në fuqi. Dorëzimi i mandatit nga i zgjedhuri i Edi Ramës në Lezhë, Arben Ndoka, është rezultat i drejtpërdrejtë i nismës tonë 2-vjeçare të dekriminalizimit. Autori i inkriminimit të parlamentit, të qeverisjes lokale, të posteve kyçe në zyrat publike, provoi edhe sot se në këtë përpjekje të madhe, ai është penguesi dhe kundërshtuesi i saj dhe si i tillë do të mbahet mend. Ai e bllokoi disa herë ligjin, e vonoi edhe pse u angazhua Parlamenti Europian me marrëveshjen e 24 dhjetorit, por ai nuk e ndali dot frymën.

Fryma e dekriminalizimit u rrit, u zmadhua, u bë simboli i kauzës së Partisë Demokratike dhe i qytetarëve pa dallim”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së tha se “Shqipëria u përket njerëzve të ndershëm e punëtorë, dhe s’mund të pranojë të sundohet nga përfaqësuesit e krimit”.

“Krimi në pushtet sjell vetëm varfëri e mjerim. Krimi në pushtet i bëri rezistencë me gjithë forcën nismës tonë të dekriminalizimit, por nuk e ndali dot atë. Pavarësisht pushtetit që kanë në duar, Rama dhe kriminelët e tij janë sot xhuxhmaxhuxhë politikë para frymës vigane të dekriminalizmit. Nuk ka për tu ndalur kjo frymë! Dekriminalizimi do të bëhet për ta çliruar vendin nga trafikantët, rrëmbyesit, vrasësit. Me në krah partnerët tanë të çmuar ndërkombëtarë, bashkë me qytetarët ne do ta çojmë atë deri në fund”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: