TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë Rama­-Meta për dorëzim pa kushte në duart e mafies, ndërkohë që ministri i Brendshëm, sipas tij, është gjithashtu i përlyer me urdhër të Ramës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha ka ngulmuar në dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

“Shpreh solidaritetin e plotë për situatën emergjente në Marinzë, me banorët. Asgjë nuk është më parësore se rehabilitimi i banorëve. Jeta e tyre, siguria e tyre është dhe mbetet e para. Ndaj sot në emër të opozitës dhe PD-së, i kërkoj qeverisë të marr përgjegjësinë për dëmshpërblimin e banorëve, për zbulimin e shkaqeve të katastrofës. I kërkoj marrjen e masave të menjëhershme për rehabilitimin e zonës. Jemi në terren po ndjekim situatën”, tha Basha.

Gjatë fjalës së tij, Basha ka theksuar se PD­-ja është e vendosur në kërkesën e saj për dorëheqjen e Metës dhe Tahirit, me praninë e të cilëve në postet që mbajnë, sipas tij, nuk mund të ketë drejtësi për çështje që kanë shqetësuar mbarë opinionin, si “Doshi” e “Frroku”.

“Shqiptarët kanë ndjekur ushtrimin e shkëlqyer të përgjegjësive të grupit tonë në seancën e javës së kaluar, për skandalin e fshehjes së kërkesës belge nga Interpol për arrestimin e Mark Frrokut të akuzuar për vrasje. Ata nuk llogarisin më të dalin me dorëheqjen, reflektime, por me hile duke llogaritur mbulimin e të keqes me të keqen, nuk u mbyll për tre ditë e as për 30 e 300 fshehja e kërkesës së Brukselit ndaj deputetit Frroku, ortak i Ramës dhe njëherësh dëshmitari kyç i denoncimit të vrasjes me pagesë të dy deputetëve nga Meta”, tha kreu i demokratëve.

Ai përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për Arben Frrokun, akt të cilin e ka cilësuar si rrëqethës. Sipas tij, ky akt, zhdukja e dëshmitarëve, publikimi mafioz i emrit të dëshmitarit të mbrojtur dhe lidhja e gjyqtarit kryesor me PS është kuptuar nga shqiptarët.

“Vetëm pas kësaj vjen akti rrëqethës i shpalljes së pafajësisë së Arben Frrokut të akuzuarit kryesor për vrajën e komisar Lamaj. Kjo është një tjetër arritje e mafies në kupolën e shtetit sprapsje e shtetit ligjor, dorëzim i sovranitetit demokratik në duart e mafies të bërë njësh me Rama­-Meta”,­ tha ai.

Basha tha se PD do t’i shkojë deri në fund fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku, teksa kërkoi dorëheqjen e Metës dhe Tahirit. “Zullumet e tyre i kanë bllokuar rrugën Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë betejën tonë. Do t’i shkojmë deri në fund fshehjes së qëllimshme të Interpol Brukselit. Skandali, njëri prej nyejve gordiane që duhet të presë drejtësia, kërkojmë dorëheqjen e Metës dhe Tahirit, kusht i domosdoshëm për çlirimin e hetimeve të Krimeve të Rënda dhe për një dekriminalizim. Denoncuam dhënien e Lagunës së Patokut, vëllait të Prengës. Kjo është një sfidë që Rama i bën personalisht misionit të dekriminalzimit”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha denoncoi edhe emërimet politike në administratë. “I shpalluri në kërkim për përdhunim u bë doganier në Korçë me Ramën e Metën. Këto raste janë arsye madhore pse dekriminalizimi duhet bërë sa më parë”, tha ai.

Për Bashën ekonomia është drejt një fundi katastrofik dhe papunësia po rritet ndjeshëm. “Të rrëzojmë krimin nga pushteti. Përkeqësim i gjithanshëm. Qeveria është totalisht e paaftë për të prodhuar atyre zhvillim. Me keq e më keq do të bëhet. Kriza, përkeqësimi dhe krimi janë fryti që prodhon kjo dyshe, janë talenti i tyre. Vetëm të zeza prodhon ky talent vetëm të zeza do t’i sjellë ky talent shqiptarëve”. Basha tha se oferta e tyre e re parandalon katastrofën dhe kthen vendin në rrugën e zhvillimit.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: