BALLSH

“Do t’ia heqim Mallakastrën nga kthetrat oligarkëve dhe do tua kthejmë qytetarëve. Kështu siç jeni të gjithë bashkë, më 16 shkurt të derdheni në bulevardin e Tiranës dhe të deklaroni vullnetin tuaj si qytetarë të lirë, si europianë. Deklaroni vendimin tuaj që t’i hapim rrugën Shqipërisë të mirëqenies e punësimit”. Ky ishte apeli i kreut të PD-së Lulzim Basha në Ballsh, ku pasi u takua me banorët, mbajti dhe një fjalim.

Ai tha se nafta në Ballsh nuk ka sjellë asgjë të mirë por fitime për pushtetin e Edi Ramës.
“Edi Rama premtoi rritjen e pensioneve, sapo takova disa pensionistë, të cilët më thanë se nuk u mjafton as për të blerë ilaçet dhe as faturën e energjisë.
Në çdo gjë që konsumoni, kosto e lartë përfshin edhe koston më të lartë të naftës në Europë. Jemi këtu në këtë zonë, ku industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, është prej dekadash punëdhënësja më e madhe, jemi në vendin më të madh të naftëmbajtës së Europës, dhe asnjëri prej jush nuk ia ka parë hajrin. Shumë prej jush ia kanë parë qederin. Edhe ajri është mbushur me erën e naftës, por nafta nuk ka sjellë asgjë të miorë në familjet tuaja.
Përkundrazi, duhet ta paguani me çmimin më të lartë edhe për ata që nuk kanë automjete, kjo ndikon drejtpërdrejt në çmimin e ushqimeve, mishit, perimeve, bukës. Kjo sepse Edi Rama i ka shtuar taksë naftës prej 300 lekësh për litër. Kanë përfituar me miliona euro me naftën e Ballshit”, deklaroi Basha.

Ai iu bëri thirrje banorëve të mos e braktisin Shqipërinë.
“Unë ju bëj thirrje të mos braktisni Shqipërinë, këtu mund dhe do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, për veten tuaj dhe mbi të gjitha për fëmijët tuaj, për rininë e Mallakastrës. Mos u dorëzoni, bashkohuni, shtrini dorën njëri-tjetrit dhe të nisim së bashku një betejë për t’i rikthyer Shqipërinë shqiptarëve”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: