TIRANE – Gjatë fjalës së tij në Konventën e FRPD-së, kreu i demokratëve Lulzim Basha e vendosi theksin tek marshimi i 8 Dhjetorit, që siç tha ai, është dita për të bërë sërish histori. Shefi i opozitës theksoi se më 8 dhjetor do të nisë maratona e përballjes pa kthim për largimin e kësaj qeverie. “Kemi marrë vendim të nisemi e mos ndalemi.”- tha Basha.

“8 dhjetori është ditë e historisë, ditë e kujtesës dhe nderimit, por 8 dhjetori që vjen është dita për të bërë sërish histori. Eshtë dita e zbritjes masive popullore në sheshin Skënderbej dhe marshimin në bulevard. Eshtë dita për largimin e qeverisë së katastrofës kombëtare Rama-Meta. Kemi marrë vendim të nisemi e mos ndalemi, të nisemi me rininë e Tiranës, rininë e të gjithë Shqipërisë, bashkë me qindra e mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të martën në 8 dhjetor. Asnjë kategori e vetme shoqërore, asnjë grup interesi nuk ka parë një ditë të mirë në këto dy vjet qeverisje. Të gjithë të gënjyer, të mashtruar, të cënuar, të lënduar, të gjithë të goditur nëpërkëmbur nga qeveria e zullumeve.”- tha Basha.


Kryetari i PD-së tha se kjo qeveri është bërë njësh me krimin dhe zgjidhja e vetme është largimi i saj.


“Pritja për këtë qeveri e mbaroi kohën e saj. Kush ka patur shpresë nuk ka më shpresë, sepse Rama-Meta e vranë shpresën dhe bashkë me të dogjën mandatin e tyre katërvjeçar. Ata janë sot rrokullisja, janë laku në fytin e familjeve shqiptare, janë grabitja, korrupsioni, eksodi për qindra mijëra shqiptarë janë kthimi mbrapa 25-26 vite më parë. Nuk kanë patur ndonjëherë turp, por tani u ka plasur cipa, burg për biznesmenin, burg për fermerin, burg për berberin dhe vetë vjedhin ç’të mundin, kur populli lëngon në varfri. kjo e ka bërë Shqipërinë sot të pajetueshme. Këtu mbaron, koha e tyre ka mbaruar, kupa është derdhur durimi i shqiptarëve ka marrë fund. Ne zbresim në shesh, bashkohemi për hidhje dhe zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në 8 dhjetor nisim maratonën e përballjes pa kthim për largimin e qeverisë së ditëve të zeza. Si do ta bëjmë, kush do ta bëjë, populli mundet dhe populli do ta bëjë me pjesëmarrje masive, qëndrueshmëri dhe vendosmëri deri në realizimin e objektivave tona”- tha Basha.


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike në konventën e 20 zgjedhore të FRPD

Të nderuar të pranishëm në Kuvendin e 20-të përmbyllës të Forumit Rinor të Partisë Demokratike,
Të dashur të rinj dhe të reja demokratë
Krenaria dhe buzëqeshja e demokratëve të Tiranës, kryeqytetit dhe anembanë Shqipërisë,
I nderuar zoti nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit Parlamentar Edi Paloka,
I dashur Gert, kryetari akoma në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike,
Të dashur deputet, anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Në këtë sallë sot më shumë se dje, më shumë se pwr një kohë të gjatë, shoh një dritë të magjishme, një dritë të magjishme në fytyrat tuaja, në zemrat tuaja, në mendjet tuaja.
Çfarë të jetë vallë? Është padyshim drita e garës më të bukur, më të hapur dhe më të fortë që ka pasur ndonjëherë Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Por çfarë tjetër ndriçon në fytyrat tuaja, në sytë tuaj, në shpirtin tuaj? Unë them se përtej garës që po vjen në një fund dinjitoz ndriçon edhe kurora, kurora që është dita e madhe e 8 Dhjetorit, dita e madhe e rinisë, dita e madhe e lirisë. Dita e kujtimit dhe nderimit për heronjtë e demokracisë, për studentët çlirimtarë të 25 viteve më parë që më në krye Azem Hajdarin i dhanë fund 25 vite më parë diktaturës më të egër komuniste në Europë dhe sollën lirinë kombëtare për të gjithë.
Nderim për ata studentë, nderim për intelektualët, për Sali Berishën, për Gramoz Pashkon, për dhjetëra e qindra intelektualë e studentë. Nderimi për ta ndrin sot në fytyrat, sytë, mëndiet dhe zemrat e rinisë demokrate që edhe një herë është e gatshme dhe e vendosur për të marrë stafetën e lirisë dhe demokracisë në këtë vend.
Prandaj 8 dhjetori është ditë e historisë, është ditë e kujtesës dhe e nderimit. Por 8 dhjetori që vjen është dhe dita për të bërë sërish histori, është dita e marshimit të madh të protestës, dita e zbritjes masive popullore në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Është dita për largimin, është dita për shkarkimin e qeverisë së katastrofës kombëtare Rama-Meta.
Kemi marrë vendim të nisemi e mos të ndalemi. Të nisemi me rininë e Tiranës, të nisemi me rininë e gjithë Shqipërisë bashkë me qindra e mijëra qytetarë nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, me të rinj, e të reja, me burra e gra, me intelektualë, me punëdhënës, me punëmarrës, me të shpunësuar, më të papunë, me fermerë, me të zhgënjyer, më të goditur e të nëpërkëmbur të martën Tiranë me 8 dhjetor.
Sepse askush, askush, asnjë kategori e vetme shoqërore, asnjë grupim interesi nuk ka parë ditë të mirë në këto dy vjet qeverisje me përjashtim të një grupi ortakësh dhe klientësh të qeverisë Rama-Meta. Të gjithë të gënjyer, të gjithë të mashtruar, të gjithë të zhgënjyer, të gjithë të mashtruar, të gjithë goditur, të gjithë të nëpërkëmbur, të gjithë vjedhur nga qeveria e zullumeve kombëtare. Të gënjyer të sëmurët dhe familjarët e tyre që sot ashtu sikurse dje e gjatë gjithë këtyre dy viteve nuk shohin asnjë përmirësim në spitalet e shërbimit shëndetësor por vetëm përkeqësim, dhe me zemër të dhimbsur shikojnë se si familjarët e tyre në vend që të marrin kujdesin e merituar shëndetësor, aq më pak kujdesin e premtuar falas përballen me standardet më të zeza që shëndetësia shqiptare ka njohur 25 vite.
Të mashtruar ushtria e të papunëve shqiptarë e cila sa vjen e shtohet e bashkë me të shtohet çdo natë dëshpërimi, pasiguria për bukën e gojës, për bukën e përnatshme të fëmijëve të tyre.
Të lënduar fermerët shqiptarë të cilët janë lënë në mëshirë të fatit, në mëshirë të motit, madje edhe më keq edhe atëherë kur ja dalin me punën e tyre, me djersën e tyre t’i mbijetojnë kushteve atmosferike dhe motit iu del përpara një qeveri e cila jo vetëm që nuk garanton por i godet në çdo cep, i godet për NIPT-in, i godet për tatimet, i godet në treg me një klientelë importuesish korruptivë që iu heqin bukën e gojës.
Të cenuar mijëra studentë anembanë Shqipërisë, të goditur dinjitetin e tyre nga fjala e dhënë dhe fjala e ngrënë nga pabesia e Edi Ramës me ligjin korruptiv për arsimin e lartë. Ligj i cili sot privon mijëra studentë të vazhdojnë studimet e tyre për shkak të pamundësive financiare, e nesër do të privojë edhe dhjetëra e mijëra të tjerë në qoftë se e lejojmë të vazhdojmë.
Të poshtëruar, e të goditur pronarët me skemën kriminale të rishpronësimit të tyre pas 70 viteve nga dita e atyre që i shpronësuan me terror me ardhjen e diktaturës komuniste.
Poshtëruar dhe nëpërkëmbur të përpjekurit, të afërmit e të cilëve janë rivrarë nga Edi Rama me dekorimin që u bëri torturuesve, ekzekutorëve dhe xhelatët e diktaturës.
Të varfëruar të gjithë me një ekonomi në rënie, me një ekonomi në sprapsje në ditën e saj më të zezë, pa kreditim, pa investime, pa konsum, pa punësim, pabesi. Të vjedhur të gjithë në taksa dhe tarifa që nuk shkojnë në buxhet por zhduken në xhepat e kontrabandistëve të një grushti qeveritarësh të lidhur me ta.
Të vjedhur në tendera dhe prokurorime të drejtpërdrejta për papulë e carapulë, e Kokëdhimë, e Beqaj, e Tahirë, e Ahmetaj dhe bandën e 40 hajdutëve të Edi Ramës.
Të zhgënjyer janw edhe socialistët që shohin se qeveria për të cilën votuan pasurohet një grusht oligarkësh dhe se të vetët që marrin drejtim, pushtet dhe përgjegjësi janë kriminelë me damkë që nuk i lidh asgjë me familjen e tyre politike.
Tw harruar janw pensionistët në varfërinë e pasigurive të tyre që është e vetmja gjë që shtohet ndërkohë që vlera e pensionit dhe fuqia blerëse bie, vetëm bie.
I goditur, i trembur, i nëpërkëmbur biznesi nga tatimet, nga gjobat, nga taksat, nga kërcënimet, nga inspektorët, nga zuzarët që nuk kanë të sosur ditë për ditë.
Ky është realiteti, kanë mashtruar dhe kanë dështuar me premtimin e tyre për 300 mijë vende pune, shëndetësinë falas, për uljen e çmimit të energjisë, për uljen e çmimit të naftës, për ulje taksash e rritje rrogash.
Mashtrimi është pafytyrësia e Edi Ramës. Kanë vjedhur paratë e shqiptarëve në shuma marramendëse, 400 milionë dollarë në dogana dhe në tatime, më shumë se 770 milionë dollarë në prokurime dhe tendera, 600 milionë euro vetëm me aferën CEZ. Vjedhja është krim, është krimi i qeverisë së Edi Ramës dhe krimin e kanë ngritur në sistem, e kanë bërë njësh me pushtetin dhe vetë janë bërë njësh me krimin.
Ndaj dy vite para 25-vjetorit të 8 dhjetorit të lirisë, shqiptarët anembanë njëzëri biem dakord se pritja për këtë qeveri e mbaroi kohën e saj.
Se kush ka pasur shpresë nuk ka më shpresë sepse Rama-Meta e vranë shpresën e bashkë me të dogjën rreth dy vite mandatin e tyre katër vjeçar. Ata janë sot rrokullosja, janë kriza për ekonominë e vendit, janë laku në fytin e familjeve shqiptare, janë varfërie, janë falimentimi i biznesit shqiptar, janë grabitja, janë korrupsioni, janë eksodi për qindra mijëra shqiptarë, janë kthimi prapa 25-26 vite më parë në kohërat më të errëta të Byrosë Politike, por kësaj radhe të byrosë së hajdutëve të kapërdisur si kokosha me pasuri 200 milionë euro, siç raportojnë raportet ndërkombëtare të punës. Nuk kanë patur ndonjëherë turp por tani u ka plasur cipa fare.
Burg për kuponin, burg për fermerin, burg për të pamundurit, burg për berberin por vetë vjedhin sa të munden pa u hyrë gjemb në këmbë dhe bëjnë pasuri përrallore dhe nuk pranojnë as të hetohen. Kjo është drama e një populli të tërë. Ky është aparteidi i Edi Ramës ku një grush vjedhin çtë mundin pa u hetuar dhe një popull i tërë qendron nën varfëri, pa drejtësi, kërbaç dhe burg. Dhe kjo e ka bërë Shqipërinë sot të pajetueshme për 100 mijë shqiptarë të larguar. 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për tu larguar në Amerikë. Mbi 70 mijë të shpunësuar vetëm në shtator dhe tetor. 60 mijë familje të hequr nga ndihma ekonomike. Kjo është Shqipëria e sotme. Premtojnë dhe do ta bëjnë edhe më keq me buxhetin që miratuan në Kuvend të premten e kaluar, me taksat, tarifat, gjobat e rrënimit, me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tyre flagrante, me kusarinë e tyre proverbiale, do ta bëjnë më keq po ti lemë ne, pot i lëmë qytetarët, po ti lërë rinia, po ti lërë Partia Demokratike, por unë jam i bindur se ne nuk do ti lëmë.
Këtu mbaron. Koha e tyre ka mbaruar. Kupa është derdhur. Durimi i shqiptarëve ka marrë fund. Çdo orë, çdo ditë më shumë në këtë qeverisje, në këtë klikë hajdutës, çdo ditë më shumë është një humbje më e madhe, një kosto shtesë për vendin, për çdo familje, për çdo shqiptar.
Me këtë vetëdije, ne Partia Demokratike e Shqipërisë është me Forumin Rinor, krenarinë dhe pararojën tonë, opozita shqiptare, shoqëria civile, shqiptarët pa dallim, zbresim në sheshin Skënderbej, marshojmë të martën tek Dëshmorët e Kombit jo thjeshtë për të protestuar. Ne zbresim e bashkohemi për zgjidhje dhe zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Zgjidhja është krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne duam që Shqipëria të ketë zgjidhje në mes të keqes që e ka mbërthyer dhe ne duam që këtë ta vendosë populli me votën e tij të lirë.
Ndaj me 8 Dhjetor nisim maratonën e përballjes pa kthim për zgjidhjen, për largimin e qeverisë të ditëve gjithnjë e më të zeza. Si do ta bëjmë ?! Kush do ta bëjë?! Qytetarët do ta bëjnë. Populli mund dhe populli do ta bëjë me pjesëmarrje masive e mbarëpopullore në protestë, me vendosmëri, me qendrueshmëri, pa u lodhur asnjë çast deri në realizimin e objektivave tona. Qytetarët e bashkuar janë fuqia supreme në demokraci. E ka treguar bota demokratike. E treguan fqinjët tanë në rumani e Maqedoni. Do ta tregojnë edhe shqiptarët.
Ndaj të dashur të rinj e të reja. Protesta dhe marhsimi popullor me 8 Dhjetor nuk është vetëm nderim, nuk është vetëm protest por është përgjigja popullore kundër qeverisë më të dështuar e më të korruptuar në histori. Le të nisemi me këtë energji që buron nga kjo sallë që i shpon muret e kësaj salle e depërton anembanë Tiranës e Shqipërisë, të nisemi në datën 8 Dhjetor pa kthim deri në zgjidhje. 25 vite më parë rinia shqiptare e ndezi shkëndijën e përballjes. E solli lirinë dhe demokracinë. E rrëzoi diktaturën. Bekim paçi ju rinia e Shqipërisë që ju vjen shansi të risillni lirinë nga tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e varfërisë, tirania e padrejtësisë. Ju do ta çlironi Shqipërinë me 25 vite më vonë, ju jeni përsëri shpresa dhe pararoja jonë. Me 8 Dhjetor të gjithë në shesh, masivisht në protest.
Zoti e bekoftë Shqipërinë! Rroftë rinia shqiptare!
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: