TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim pjesëtarë të misionit të OSBE-ODIHR, Richard Lappin, zëvendëskryetar i Departamentit të Zgjedhjeve, Ana Rusu, këshilltare për zgjedhjet, Alexey Gromov, këshilltar për zgjedhjet, Francesco Pagani, kreu i këshilltarëve politikë në Asamblenë Parlamentare të OSBE. Ky mision i OSBE gjendet në Tiranë për të analizuar situatën parazgjedhore. Kryetari i Partisë Demokratike i njohu me shqetësimet e opozitës që kanë të bëjnë me rrezikun real që i kanoset zgjedhjeve, votës së lirë.

Basha tha se zgjedhjet janë në rrezik nga qeveria, e cila nuk zbaton dekriminalizimin dhe vazhdon të ndajë pushtetin me kriminelë dhe banditë të njohur. Zgjedhjet janë në rrezik, tha Basha, nga droga që ka mbuluar vendin dhe nga paratë e këtij trafiku që arrijnë në disa miliardë euro në vit. Kreu i opozitës tha se krimi është një kërcënim për zgjedhjet e lira e të ndershme. Ai theksoi se qeveria nuk ka reflektuar pas rekomandimeve të fundit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015 të cilat ishin një hap i madh pas në drejtim të standardeve demokratike.

Kryetari i opozitës vuri në dukje se Edi Rama ka prishur të gjitha zgjedhjet që janë bërë qysh se ai erdhi në pushtet duke dhunuar votën e lirë, përmes blerjes së saj, apo përmes kërcënimit e dhunës.
Gjithashtu, Basha theksoi se KQZ ka treguar andshmëri duke i bërë rezistencë ligjit të dekriminalizimit duke mbrojtur hapur interesat e kryeministrit dhe lidhjet e tij me krimin. Po ashtu, Basha pohoi se edhe Kolegji Zgjedhor është një institucion nën presion për shkak të kërcënimeve që i bën qeveria gjyqësorit.

Pasi parashtroi të gjithë këto rrethana ku ndodhet vendi, Basha i bëri të ditur misionit të OSBE-ODIHR se e vetmja rrugë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme është që ato të mbahen nga një qeveri teknike, e cila do të fokusohet në zbatimin e dekriminalizimit, në luftën kundër drogës, krimit, dhe parave të trafikut të paligjshëm.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: