Nga KLODIANA LALA*

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është marrë në mbrojtje të posaçme, katër ditë pasi nëpërmjet deputetes Voltana Ademi, ka marrë mesazhe kërcënuese, nga një person që ligjvënësja demokrate e identifikon si Emiljano Shullazi. Lajmi konfirmohet nga burime të besuara të “GSH” në Policinë e Shtetit, të cilët thanë se vendimi për të siguruar mbrojtje të posaçme për zyrtarin më të lartë të PD-së, është marrë nga Komisioni për Mbrojtjen e Posaçme. Ky komision, ishte informuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, se pranë saj ishte depozituar një kallëzim nga deputetja e PD-së, Voltana Ademi, e cila pretendonte se kishte marrë kërcënime për kryetarin e opozitës Basha. Prokuroria kërkonte nga komisioni që të vlerësonte, nëse ishin kushtet për t’i marrë në mbrojtje kryetarin e PD-së dhe deputeten Ademi. Në fakt, pasi e ka shqyrtuar këtë kërkesë, komisioni ka vendosur t’u sigurojë Bashës dhe Ademit mbrojtje të posaçme, duke shmangur kësisoj ndonjë rrezik të mundshëm për jetën e tyre dhe të familjeve. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, do të shoqërohet nga efektivë të repartit GOS, përgjatë 24 orëve të ditë-natës. Gjithashtu, masa shtesë janë marrë edhe për banesën e tij, e cila do të monitorohet gjithashtu pa ndërprerje, me tri turne. Burime të besuara për “GSH” thanë se janë marrë edhe masa të tjera shtesë, që do të garantojnë sigurinë fizike të kreut të Partisë Demokratike, por nuk bëhen të ditura.

Përplasja për mbrojtjen
Por, sikurse ndodh rëndom në Shqipëri, edhe për këtë çështje institucionet janë përplasur fort mes tyre. Në krye të herës, zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se i ishte drejtuar me kërkesë për vlerësim Komisionit për Mbrojtjen e Posaçme, për të vlerësuar nëse kishte shkaqe që dy zyrtarët duhej të merreshin në mbrojtje. Pak orë më vonë, Ministria e Brendshme tha se nuk kishte marrë asnjë kërkesë nga Prokuroria, por kërkesa për shtim të masave të sigurisë, i ishte drejtuar Gardës së Republikës ga shefi i grupit të sigurisë së kreut të opozitës. “Pasi e shqyrtoi këtë kërkesë, Komandanti i Gardës e miratoi dhe vendosi të shtojë edhe një tjetër efektiv të Gardës në grupin e shoqërimit të Bashës”, deklaroi zyrtarisht MB. I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike, e cila tha se nuk ka asnjë kërkesë nga shefi i sigurisë për masa shtesë. Sipas PD-së, pretendimet e Ministrisë së Brendshme janë të pavërteta.

Hetimet për kërcënimin
Prokuroria për Krime të Rënda po kryen disa veprime hetimore, mbi kallëzimin e bërë nga deputetja Voltana Ademi. Zyrtarë të prokurorisë thanë se deputetja e PD-së, ka shpjeguar se ngjarja ka ndodhur në një lokal pranë “21 Dhjetorit”, ku ajo ka qenë në lokal me disa të njohur të saj. Papritmas, një person, të cilin ajo e identifikon si Emiljano Shullazi, i është drejtuar asaj me fjalët: “Thuaji kryetarit tënd të mos ma përmendë më emrin. Ndryshe t’i bëjë mirë llogaritë me mua”. Në vazhdën e veprimeve hetimore është dhe këqyrja e lokalit ku pretendohet se është kryer kërcënimi. Në fakt, oficerët e policisë kanë zbarkuar në lokal për të sekuestruar kamerat e sigurisë, prej nga pritet të identifikojnë të gjithë të pranishmit në ngjarje, të cilët do të merren në pyetje. Ndonëse nuk japin asnjë detaj, nëse kamerat e sigurisë e kanë filmuar momentin kur “takimi” mes deputetes dhe të identifikuarit prej saj si Emiljano Shullazi, ka ndodhur ose jo realisht. Pavarësisht kallëzimit, deri më tani, nuk konfirmohet nëse Emiljano Shullazi është pyetur ose jo nga grupi hetimor. Çështja në fjalë është regjistruar në referim të nenit 109, fraksion B të Kodit Penal, që bën fjalë për “shtrëngim me anë të kanosjes” apo dhunës për të kryer apo mos kryer një veprim të caktuar.

(ar.sh/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: