TIRANË – Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka dëshiruar të ndajë me mësuesit sot, urimet për festën e tyre, pa mundur të mos shprehë keqardhjen për shqetësimet e mëdha që ata kanë.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Basha shkruan se “urimet e 7 Marsit do të ishin hipokrizi pa vënë në pah vështirësitë dhe sfidat e mësuesve, jo për shkaqe objektive, por për shkak të padrejtësisë, korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë.”

Nga ana tjetër, ai iu ka premtuar arsimtarëve se “ne jemi dhe do të jemi në krah të mësuesve, dhe kur ora e përgjegjësisë sonë qeverisëse të vijë do të ketë trajtim dhe vëmendje për ta çdo ditë të vitit.”

MESAZHI I KRYETARIT TË PD DREJTUAR ARSIMTARËVE

“Çdo 7 mars është një thirrje për kujtesën dhe ndërgjegjen tonë, se sa u detyrohemi mësuesve tanë.Unë dua t’i uroj nga zemra për festën sot, por dua të ndaj gjithashtu shqetësimet e mëdha që ata kanë.

Mësuesit shqiptarë janë sot nën një trysni të vazhdueshme nga qeveria, nën një pasiguri permanente që ka krijuar terror dhe ka hequr qetësinë e nevojshme që ata të ushtrojnë profesionin. Testimi i tyre sipas tekave të qeverisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një mjet për të larguar masivisht mësuesit nga puna dhe për të krijuar vende për militantët e pushtetit.

Në krye të drejtorive arsimore janë vendosur persona që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e edukimit e arsimimit. Rasti i Lushnjes e tregoi se punësismi i mësuesve jo vetëm është kthyer në biznes për drejtuesit e korrupsionit rilindas, por për fat të keq edhe në skllavëri seksuale.

Nuk ka ditë më të trishtë për arsimin se dita ku e ka sjellë kjo qeveri gjendjen e mësuesve.Prej gati 2 vitesh paga e tyre nuk rritet. Prej 2 vitesh ka vetëm marifete e mekanizma shtypjeje e shantazhi për të vështirësuar jetën e tyre. Prej 2 vitesh nuk ka një investim të vetëm në insfrastrukturë e krijim kushtesh për të rritur cilësinë në mësimdhënie.

Urimet e 7 marsit do të ishin hipokrizi pa vënë në pah vështirësitë dhe sfidat e mësuesve, jo për shkaqe objektive, por për shkak të padrejtësisë, korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë.

Ne jemi dhe do të jemi në krah të mësuesve, dhe kur ora e përgjëgjesisë sonë qeverisëse të vijë do të ketë trajtim dhe vëmendje për ta çdo ditë të vitit. Ky është 7 marsi më i keq për ta, por shqiptarët dhe mësuesit e tyre do të dinë ta ndalin të keqen,” përfundon mesazhi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: