Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha tha se ai vetë nuk i kishte kërkuar kurrë Presidentit të anulonte datën e zgjedhjeve.

I bindur se vendimi i Presidentit nuk do të ndalë qeverinë e Ramës, Basha tha se e vetmja zgjidhje është përballja e popullit me të.

“Unë nuk i kam kërkuar asgjë Presidentit, nuk besoj se zgjidhja e krizës vjen përmes akteve të Presidentit. Rama e ka faktuar se nuk do t’ja dijë për asgjë, as për Kushtetutë, as për akte administrative, as për të huajt. E vetmja forcë që ndal rënien përfundimtare të kësaj shoqërie është forca e njerëzve të bashkuar. Kështu po ndodh edhe këtu, të heqin iluzionin se do ketë zgjidhje me dorën e Zotit. Zotin e duam, i lutemi dhe i shprehi falenderimet tona por duhet edhe dora e çdo shqiptari të ndershëm. Ata do jenë forca e papërballueshme e kësaj bande që po shkon drejt grushtit të shtetit”,- shtoi Basha.

I pyetur nëse i druhet reformës në drejtësi, ashtu siç thotë kryeministri Rama, Basha u përgjigj:

“Dy gënjeshtrat e Ramës janë: që kjo po bëhet për të dëmtuar Shqipërinë dhe drejtësinë. Ndërsa pjesa e dytë është gënjeshtër dy vjeçare e tij sa herë është kapur në skandale thotë kjo bëhet për të penguar reformën në drejtësi. U kap me Xibrakën tha po pengohet reforma, me Tahirin, Xhafën dhe vëllin trafikant, u kap duke mbrojtur djalin e Rrahman Rrajës, tha bëhet për të penguar reformën. U kap më aferën e Unazës, u kap me Milot-Balldren tha bëhet për të penguar reformën. Reforma ka vetëm një qëllim që të paktën të pyetishin njerëzit, të gjykoheshin e në fund të shkonin pas hekurave. I vetmi person që do ta ndalë reformën është ai që shkatërroi Kushtetuesen, që emëroi kundër ligjit Prokurorën e Përgjithshme. Ky është i vetmi njeri, është Edi Avdylaj ose Astrit Rama. Të dy sot janë 1”,- vijoi Basha.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb