TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi komentoi nga studioja e emisionit “Kjo Javë” në News 24 deklaratën e kreut të shtetit, Ilir Metës, i cili tha se do të jepte dorëheqjen me kushtin që ky veprim të zgjidhte krizën politike në Shqipëri.


Sipas tij, largimi i Metës nuk do ta ndihmonte situatën, por do të shtonte edhe më tej krizën pasi gjithçka më pas do të binte në duart e Edi Ramës.  Ai tregoi edhe kontaktet me kreun e PD, Lulzim Basha, i cili nuk ishte prezent në protestën e fundit në Tiranë, por ishte në Bruksel në një takim me kreun e PPE-së, Josep Daul.



“E rëndësishme është se as në 30 qershor dhe as në datë tjetër në Shqipëri nuk do të këtë më zgjedhje nga bandat. Si do të fitosh zgjedhjet pa kundërshtarët. Mesazhi i Metës ishte i sinqertë, që para interesit personl të vendoset ai i Shqipërisë. Largimi i Metës nuk e zgjidh situatën dhe krizën politike, sepse e gjitha kjo do të binte në dorë të Edi Ramës. Në protestën e fundit ne kishim njoftuar. Unë  u njoftova se kishte dhunime dhe arrestime të protestuesve. Bazuar në këto raportime, gjykuam që do të shkonim t;i kërkonim llogari Policisë së Shtetit për veprimet e kryera. Ne vendosëm të shkonin për të kërkuar informacion  për situatën se çfarë po ndodhte.

Nuk është faji im që Policia nuk di të lexojë shkresat e mia. E kishim lajmëruar në shkresë, janë kapur të papërgatitur sepse ne nuk kemi betejën me policët e ndershëm.Policia tenton të spostojë protestuesit nga një shesh që kemi vendosur për të protestuar. Asnjë protestues nuk ka qëllim të rrahë asnjë deputet, por pasuritë e paligjshme që ministrat e deputetët që ia kanë marrë shqiptarëve ta kthejnë aty ku e kanë vjedh.  Nëse qytetarët në shenjë irritimi godasin derën, kjo nuk do të thotë se ka patur qëllim për të hyrë brenda. Dyert janë thyer nga policia dhe hidhnin helm ndaj qytetarëve dhe mediave. Sa kohë që ne kemi qenë në protestës nuk kanë bërë kurrë për të dhunuar institucionet dhe të hyjmë në institucionet, sepse nuk biem dhe nuk do të biem pre e atij provokimi”, tha ai.

Gjithashtu Gazmend Bardhi komentoi edhe procedimin penal nga Policia e Shtetit, për organizimin e protestave dhe tubimeve qytetare para Kuvendit të Shqipërisë, në kohën kur brenda tij po zhvillohej seancë plenare.

“Nuk më ka dhënë asnjë shpjegim. Dhe nuk kam asnjë komunikim me Policinë. Sa herë ka patur tubime kanë njoftuar policinë e shtetit sipas ligjit. Pse tubimi është krim në 2018?  Nuk hetohem nga policia. Do të bëjë të njëjtën gjë që kam bërë që nga 16 shkurti e në vijim. E marr me të qeshur njoftimin e Policisë kur  shoh emirin si të proceduar. Kam patur kontakt me zotin Basha para protestës. Më pyeti për orarin e protestës dhe nuk më ka thënë asgjë më shumë. Do të ketë protesta të tjera. Asnjë protestë e opozitës nuk ka patur skenarë. Në momentin që shoku Gramoz do të shpall datën dhe orën e seancës, sepse edhe kjo tani është dhe mbahet si sekret shtetëror. Do të këtë edhe protestë kombëtare.  Na akuzojnë ne se po pengojmë hapjen e negociatave, integrimi europian është në fakt dështimi më i madh i Edi Ramës”, shtoi Bardhi.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së u ndal edhe tek qëndrimi i deputetes së PD-së, Rudina Hajdari, e cila veproi kundër vendimit unanim për djegien e mandatit të deputetëve.

“Nuk e kam ndjekur fjalimin e saj, sepse kam qenë në protestë. Unë e kam bërë të qartë edhe më parë se qëndrimet e Hajdarit  në Parlament nuk  përfaqësojnë PD-në. Rudina Hajdari përfaqëson veten. Hajdari ka vendosur të mos zbatojë një vendim unanim të PD-së. Ajo është e lirë të veprojë, por miqësisht do t’i thoja se vendi nuk rrezikohet nga protestat e lira të qytetarëve”, shtoi mes tjerash Bardhi.

(n.m/BalkanWeb)

 

Etiketa: