TEPELENE

Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar ish kampin e internimit në Tepelenë, ndërsa është njohur me kushtet e tmerrshme nga i mbijetuari i kampit famëkeq të Tepelenës, Simon Miraka. Ai tregoi se ka hyrë 4 vjeç në kamp në vitin 1944 dhe ka dalë 9 vjeç nga kampi.

Gjatë rrëfimit të tij në praninë e krydemokratit dhe disa deputetëve të tjerë të PD, i mbijetuari Simon Miraka u shpreh se kanë vdekur mbi 1 mijë njerëz të pafajshëm në këtë kamp duke përfshirë, fëmijë, gra e burra.


“Këtu kanë qenë 5 kazerma të bëra nga italianët dhe kjo ka shërbyer si komandë e policisë. Pjesa këtu shërbente si furrë buke, bukë e zeze sterrë. Ndahej dhe bollgur me krimba. Këto shkaktuan edhe epidemi për sëmundje të ndryshme. Kazanët e gjellës ishin fuçia që u kishin shërbyer italianëve për naftë. I prenë ato, i sharruan dhe i bënë kazanë. Ai spirilëngu, ajo gjella e famshme, e quajtur gjellë, se gjellë s’ishte, kur shkonin njerëzit për ta marrë me tasa a gaveta, ishte gjithë pisllëk e naftë. Këto shkaktuan epidemi, zgjebën, kolerën dhe sëmundje të ndryshme. Vdekjet filluan me 32 vetat e parë dhe vazhduan këtu me 300 fëmijë, mosha nga 6 muaj deri në 3-4 vjec”- tregoi Simon Miraka.



(d.d/BalkanWeb)