KRUJË- Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka sulmuar nga Kruja maxhorancën, që sipas tij po përpiqet të blejë zgjedhjet e 21 qershorit me kërcënime dhe para. Në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj Bashkie, Hamdi Pasha, kreu i PD-së tha se sot Kruja është e bashkuar për fitoren e krutanëve dhe familjeve të tyre.

“Ju përshëndes nga zemra në këtë ditë të bashkimit tuaj, të bashkimit tonë, ditën kur vullneti i krutanëve është bashkuar për fitoren tuaj dhe të familjeve tuaja. Ky bashkim është shprehje e vendosmërisë suaj, për të hequr një orë e më parë lakun nga fyti të pashpirtësisë, të arrogancës dhe papërgjegjshmërisë të dyshes Rama-Meta dhe të lakenjve të saj. E shikojnë sot anembanë Shqipërisë dhe janë ata që po bëjnë llogaritë se i kishin bërë pa popullin, i kishin bërë pa Krujën. Dy vjet me radhë goditën me kërbaçin e pashpirtësisë, rritën taksat, rritën çmimin e energjisë, të karburanteve duke menduar se do t’ia hidhnin me propagandë, me gënjeshtra, me sondazhe. Harruan se në demokraci vjen ora e llogarisë, popullin nuk e blen dot kurrë, nuk e tremb dot kurrë. Po vjen ora, po vjen dita, po vjen 21 qershori”, deklaroi Basha.

Më tej kreu i PD-së tha se maxhoranca ka tentuar të mpijë padurimin popullor për të votuar por sipas tij, fati i kësaj beteje nuk është as në dorën e kërcënimeve të Ramës dhe as të parave të pista të Metës, por në dorën e qytetarëve.

“Nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta mpirë këtë padurim popullor për të votuar. Shikojini sa përpjekje kanë bërë, a u ka ecur? Varfërinë nuk do ta blejnë dot më 21 qershor. Kjo varfëri nuk është në shitje është në luftë me dyshen Rama-Meta. Dinjitetin tuaj që e nëpërkëmbën këta horra që morën një pallat të tërë e çuan në polici se nuk kishin para të paguanin energjinë, nuk e blejnë dot më 21 qershor. Fati i kësaj beteje nuk është as në dorën e kërcënimeve të Ramës dhe as të parave të pista të Metës. Është në dorën tuaj.

Kush janë këta që bredhin nëpër Shqipëri duke kërcënuar shqiptarët pasi e dinë se asnjë premtim i tyre nuk pi më ujë”, tha Basha.

Ai tha se kjo qeveri premtoi shumë por u dha shqiptarëve vetëm mjerim, duke sjellë si shebull rritjen e azilkërkuesve shqiptarë në BE. Basha shtoi se numri i azilkërkuesve shqiptarë është vetëm 200 më i vogël se ai i azilkërkuesve sirianë. Lideri i opozitës kërkoi votat për kandidatin pasha pasi sipas tij, kundërshtari i tij është një njeri i inkriminuar.

“Asnjë votë trafikantëve, asnjë votë të inkriminuarve. Vota për Hamdi Pashën, për PD-në. Asnjë votë për Artur Bushin, një njeri më i errët se nata pa hënë. Të gjitha votat për familjet tuaja, për fëmijët tuaja, për ofertën e uljes së taksave, për punësimin për Hamdi Pashën dhe PD-në. Ju jap fjalën se sot si kryetar i opozitës në krahë të Hamdi Pashës, jam i vendosur ti shkoj deri në fund betejës sonë. Me mbështetjen tuaj, fitorja e Hamdi Pashës do të hapë një epokë transformuese. Ju jap fjalën sot si kryetar i opozitës dhe nesër si kryeministër se do të punoj me mish e me shpirt për ju. Zoti e bekoftë Krujën!”, përfundoi Basha.

Gjatë fjalës kreu i PD-së ka bërë edhe një lapsus, në momentin kur hidhte akuza ndaj maxhorancës, ai tha se “kërkojnë tua shesin djathin për sapun”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: