TIRANE

Kreu i PD, Lulzim Basha ka takuar qytetarët e Kukësit të cilët i ka ftuar në protestën e 16 shkurtit. Basha u shpreh se PD kur të vijë në pushtet do të rihapë Universitetin e Kukësit duke e rikthyer në një qendër universitare.

Basha tha se vendi qeveriset nga një grusht shteti dhe qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre.

“Rihapja e Universiteti të Kukësit do bëjë që ju të shkolloni fëmijët këtu. Do financojmë me paratë e shtetit pedagogët dhe do marrim përvojën e gjermanëve, pasi gjermanët i kemi në krah. Kukësi do jetë një qendër universitare ku do vijnë edhe qytetarët të tjerë nga veriu dhe  Prizreni i Kosovës. Ka një problem të madh sepse vendi po qeveriset nga një grusht i shtetit që e kanë bërë një grusht kriminelësh me Edi Ramën. Vendi sundohet në kushtet e një grusht shteti. Rama do përballet me popullin”- tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se ditën e parë të qeverisjes së PD, do të firmoset heqja e taksës ‘Rama’ duke çliruar ekonominë.

“Do të eleminojmë taksën Rama mbi karburantin, 300 lek më lirë, prej ditës sonë të parë në qeveri. Ditën e parë do të firmosim heqjen e taksës Rama. Kjo do të çlirojë ekonominë. Energjia elektrike, gjysma e familjeve në Kukës janë hequr nga ndihma ekonomike. Ne nuk mund të pranojmë që shteti t’i lë pa bukë, pa ujë, pa drita. Familjet që janë hequr me të padrejtë nga ndihma ekonomike do të kenë ndihmë ekonomike të mjaftueshme për bukë, ujë dhe drita. Por, dua t’jua them hapur se prioriteti ynë kryesor është punësimi, nuk është lëmosha. Ose të vetëpunësohen ose punësohen në biznese”- tha Basha.

“Shoh vendosmërinë tuaj, nën këtë ditë të bekuar nga Zoti me këtë diell. E paskemi lënë larg datën 16, sepse me sa shoh nisemi sot e t’i japim fund padrejtësisë. Heqja e taksës korruptive, do të jetë masa jonë e parë. Kuksianët treguan qëndresë dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët. Një mesazh për organet e drejtësisë. Kini kujdes. Gjithçka do të shënohet, padrejtësinë ndaj kuksianëve nuk do t’jua falim kurrë. Asnjë prind apo i ri kuksian që u ngrit kundër padrejtësisë, meriton vetëm mirënjohje. Drejtësia do të veprojë ndaj Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë të korruptuar që vendosën këtë taksë.” – tha nder te tjera kryedemokrati.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: