LEZHË- Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka nisur sot turin politik nga Lezha, ku pasi të takuar me banorët në disa komuna, ka zhvilluar një takim edhe në qytet. Basha tha se qeverinë e ka kapur “virusi i palmës”, duke bërë shpenzime luksi dhe për këtë solli si shembull investimin që po kryhet në qendër të Lezhës.

“Virusi i krimit ka kapur vetë mënyrën se si qeveria shpenzon paratë e taksapaguesve. Ah po, qeveria, siç më thanë në Kallmet duke u kthyer, po gatit prapë qendrën e Lezhës, megjithëse vetëm 10 vjet përpara u investua dhe jo keq, duhet ta themi, ndonëse në Qeveri ishin kundërshtarët tanë politik edhe atëherë. Por tani po investohet prapë 3 miliard lekë. Qendra e Lezhës është virusi i palmës që ka kapur këtë qeveri. Por të nderur qytetarë të Lezhës, ne duam që pakënaqësia juaj ndaj qeverisë të kthehet në besim dhe shpresë tek opozita. Të kthehet në besim dhe shpresë tek Partia Demokratike, të kthehet në besim ndaj alternativës sonë, ndaj ekipit tonë, ndaj zgjedhjeve tona, rrugëve që do propozojmë për të dalë nga kjo situatë, ndaj ekipeve tona që do të vihen ballë punës për të ndryshuar këtë situatë të papranueshme”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se si ai ashtu edhe drejtuesit e tjerë të PD-së do të jenë pranë shqetësimeve dhe realitetit të banorëve, në mënyrë që dramat e familjeve ti përjetojë si të tilla çdo politikan.

“Është nder dhe kënaqësi për mua ta nis këtë tur politik të ri, këtu, në këtë trevë, në Lezhë, në një nga zonat që i ka dhënë kaq shumë demokracisë, zhvillimit, perspektivës europiane të Shqipërisë së pas viteve ‘90, por po kështu me një nga trevat me të cilat ne krenohemi për virtytet e larta me të cilat ka pasqyruar traditat kombëtare shqiptare. Vij me kënaqësi për tu takuar dhe ritakuar me një pjesë të madhe prej jush me një qëllim me drejtuesit e Partisë Demokratike t’ju dëgjojmë, t’ju shohim, të prekim realitetin e banorëve, realitetin e njerëzve, familjarëve, të moshuarve, të të rinjve, të kryefamiljarëve, të të punësuarve e të papunësuarve, fermerëve dhe qytetarëve. Roli dhe misioni i politikës nuk është udhëheqja nga zyrat por të përmirësojë jetët e qytetarëve aty ku ata jetojnë
Dramat e familjeve, të tryezave, të xhepave bosh të qytetarëve shqiptarë duhet ti përjetojë si t ë tilla çdo politikan dhe çdo vendimmarrës në Shqipëri”, ka thënë Basha.

Sipas tij, “përballë alternativës së PD-së për të qëndruar pranë qytetarit, qëndron një model tjetër, modeli i fjalimeve propagandistike dhe demagogjisë.
“Fjalime pa fund që janë vite dritë larg realitetit ku jetojnë shqiptarët. Ajo që dëgjova sot në Shënkoll, Blinisht, në Kallmet, në Lezhë, ajo që dëgjojmë anembanë Shqipërisë, ajo është e vërteta e kulluar e cilësisë së kësaj qeverisje. E vërteta është përkeqësimi. Është tkurrje, është papunësia, është shtrydhja, rrokullisja, braktisja e njerëzve nga qeveria”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha tha se denoncimet që po vijnë çdo ditë nga qytetarët po kthehen në një uragan revolte e zemërimi.
“Ju na keni dëgjuar, më keni dëgjuar mua ti them këto fjalë shpesh, ndoshta ka mes nesh që thonë se kështu e ka opozita dhe natyrisht opozita ka për detyrë kryesore të denoncojë të keqen e ti rrijë përballë qeverisë. Ka detyrë kryesore ta kontrollojë qeverinë ti vejë përgjegjësit para ligjit, ka për detyrë të ngrihet e të kundërshtojë shkeljen e lirive e të drejtave të qytetarëve. Këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë dhe qytetarët do ta gjykojnë nëse po flasim të vërtetën apo jo. Denoncimet që i vijnë kësaj qeverisje nga opinioni i gjerë publik, nga qytetarët, nga shoqëria shqiptare që po kthehen në një uragan të vërtetë revolte dhe zemërimi. Ky është uragani i qytetarëve pa dallim bindjesh politike”, u shpreh ai.

Basha tha se janë dhjetëra, qindra mijë shqiptarë që kjo qeveri i ka shtyrë drejt një mjerimi të pakufi, të paimagjinueshëm e të paprekshëm nga kullat e tyre të pushtetit e të salltaneteve. “Është edhe një grup tjetër njerëzish, qytetarësh të lirë, sipërmarrësish, të vegjël, të mesëm, të mëdhenj, fermerësh, apo intelektualësh të cilët mund të mos kenë probleme me bukën e gojës, por ndihen të fyer e të poshtëruar nga një qeveri që i ka vënë kryqin transparencës dhe llogaridhënies. Edi Rama është sot një kryeministër i rrëzuar në pritshmëritë popullore në çdo aspekt të qeverisjes së tij”, tha kreu i demokratëve.

Ai u ndal tek problematika në sektorin e energjisë, për të cilën tha se politika e qeverisë është kthyer në një lak për fytin e njerëzve.
“Edhe këtu e veçanërisht këtu, politika e tyre për energjinë është kthyer në një lak në fytin e njerëzve, një lak që shtrëngohet gjithmonë e më ngushtë. Është qeveria që vret me politikën e saj të kërkimit të detyrimeve, grumbull me një dorë, pa minimumin e tolerancës dhe me devizën e çmendur dhe çnjerëzore: “paguaj ose vrit veten”. Dua ta them edhe njëherë të qartë, Partia Demokratike dhe demokratët besojnë në demokraci, besojnë në shtet ligjor”, theksoi Basha.

Sipas tij “Qeveria kërkon miliona, njerëzit shesin lopët, për të paguar fatura totalisht të pajustifikuara, po në krye të OSHE-së vendosen banditë, njerëz të dënuar për armëmbajtje pa leje, debitorë masiv të energjisë elektrike”.

“Nuk mund të këtë rend me një polici të politizuar deri në palcë. Nuk mund të ketë rend me një kryeministër dhe me një ministër gënjeshtar që e paska future Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në Europol. Çfarë mashtrimi. Në europulë e ka kthyer policinë, por në Europol nuk e ka futur Shqipërinë. Mashtrimi nuk është as gjysma e së keqes”, tha Basha.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: