MALËSI E MADHE-Kryetari i opozitës Lulëzim Basha zhvilloi sot një takim elektoral në Malësinë e Madhe. Gjatë fjalës së tij Basha u bëri apel malësorëve të zgjedhin alternativën e opozitës për uljen e taksave dhe çmimit të energjisë.

“E kam të lehtë të përcjell në zemrat tuaja domethënien e fjalës dinjitet, sepse dinjiteti ka qenë dhe është tipari dallues i juaji, i malësorëve. Për dinjitetin jeni ngritur, keni dhënë jetën, dhe për dinjitetin jetoni dhe luftoni. Në këtë shesh entuziazmi i bashkuar i malësorëve, të rinj dhe të moshuar, është parathënia e fitores së thellë të punës, dinjitetit të së ardhmes, të shpresës së shpëtimit për Malësinë e Madhe.Jemi bashkuar përsëri pas afro 6 javëve fushatë dhe takime që na kanë sjellë afër me njëri-tjetrin, kemi folur, kemi parë njëri-tjetrin në sy dhe kemi qarë hallet tona të mëdha.

Era e të ashtëquajturës Rilindje, era e mortit siç i thonë anembanë vendit erdhi në Malësi para dy vjetësh. Ju vërsul dinjitetit. Rama-Meta e shumëzuan me zero dinjitetin tuaj me rritjen që i bënë çmimit të energjisë dhe taksave. Kemi çmimin më të lartë në rajon. Vinë në malësi gjezdisin nëpër Shqipëri duke u thënë qytetarëve se premtimet e PD për uljen e energjisë, falja e kamatvonesave qenkan për zgjedhje politike jo për zgjedhje vendore. Këtu e kanë hallin. Këta thonë ne kemi të drejtë tua hedhim ju po ju nuk keni mundësi të na kapni.”- u shpreh Basha.

Kreu i PD u ndal sërish tek ulja e taksave dhe e çmimeve, në mënyrë që t’u jepet mundësi qytetarëve për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. Basha tha se shkak për situatën e krijuar në vend është dyshja Rama-Meta.

“Ulja e taksave është oferta jonë për heqjen e lakut, për daljen nga qorrsokaku. Jemi të bindur se ju do ta votoni mundësinë për të dalë nga situata e vështirë ekonomike. Ju do të zgjidhni mes ofertës tonë për uljen e taksave, çmimeve, uljen e akcizës për naftës, shpërndarjen e subvencioneve, ndërsa oferta e tyre është kapja e pushteti me çdo kusht. Nuk duan që ju të shkoni drejt e në zyrat e bashkisë për ankesat tuaja, por ta kaloni nëpër duart e sekserëve. Dyshja Rama-Meta solli këtë të keqen dhe i gënjen mendja se në 21 qershor do të mund të blenë votën tuaj. Varfëria që mbollën e mjerimi që shtuan është në armiqësi me dyshen Rama-Meta, është ndëshkimi dhe mallkimi i tyre. Dita e vendimmarrjes ndaj tyre po vjen më 21 qershor. Në doganat e vendit kanë vjedhur 150 mln dollarë në vetëm 5 muaj. Janë vjedhur paratë e akcizës së duhanit dhe naftës”, tha Basha.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb