Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në konferencën e sotme për media ku doli bashkë me Enkelejd Alibeajn e Çlirim Gjatën për përgjimet e “Bild”, iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve.

I pyetur nëse Basha do të shkojë në Prokurori në datë 20 në orën 9 e 30 minuta, Bardhi tha se ai është i gatshëm të shkojë kur organi i akuzës ta thërrasë sipas ligjit.

“Do të preferoja që pas pëgjimeve që tregojnë inkriminimin e kryeministrit të shtrohej pyetja kur do merret i pandehur Edi Rama? Kjo është pyetje që duhet të bëjë çdo shqiptar. Zoti Basha është i hapur ndaj çdo hetimi të Prokurorisë edhe pse të gjitha faktet provojnë se këtu nuk ka drejtësi të pavarur, ai ka shprehur gatishmërinë të paraqitet sa herë e thërrasin”,- vijoi Bardhi.

Kujtojmë se një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës vendosi shoqërimin e detyrueshëm të kreut të PD-së Lulzim Basha pasi ai nuk ka shkruar në prokurori siç ishte thirrur pak ditë më parë për lobimin ne SHBA. Basha nuk iu përgjigj ftesës me arsyetimin se nuk i ka vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar. Gazetarja Klodiana Lala raportoi nga Prokuroria e Tiranës se prokurorët e çështjes kanë firmosur urdhrin i cili është dorëzuar në polici. Oficerët e Policisë Gjyqësore do e shoqërojnë në mënyrë të detyrueshëm kreun e PD-së më 20 qershor në orarin zyrtar.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb