TIRANE – Partia Demokratike përsëriti thirrjen ndaj qytetarëve për të fikur makinat për 5 minuta në orën 11:00 të së hënës, në shenjë proteste kundër çmimit të lartë të naftës. Sipas liderit të opozitës, Lulzim Basha “protesta e nesërme është hapja e një pranvere protestash të pandalshme masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisin sipas qejfit”. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Basha theksoi se ka ardhur koha që njerëzit të mbrojnë veten dhe t’i tregojnë qeverisë se nuk mund të luajë me fatet e tyre.

“Përmes protestës do t’i tregojmë qeverisë se nuk mund të luajë me fatet e njerëzve. Vetëm në Shqipëri shqiptarët nuk përfitojnë nga uljet e karburantit në tregun ndërkombëtar. Ky njeri ka vetëm axhendën e interesave të oligarkëve dhe botës kriminale që e rrethon. Etja e tij për pushtet absolut politik dhe ekonomik është kundër çdo logjike zhvillimi dhe mirëqenie. Nafta është energjia e zhvillimit ekonomik. Ulja e çmimit të naftës ul koston e shërbimeve dhe të jetesës. Këtu rritet artificialisht. Dy herë në dy vitet e fundit qeveria rriti taksën e qarkullimit. Detyrohemi të paguajmë taksat Rama në çdo litër karburant që blejmë. Eshtë një krim që duhet ndalur.  Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten. T’i tregojmë qeverisë që nuk e pranojmë më rritjen e taksave dhe arbitraritetin. Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11:00 fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi. Pranvera e protestave po nis dhe ky regjim antipopullor do të ndalet”- deklaroi Basha.

DEKLARATA E PLOTE E BASHES
Nesër me 26 Janar i gjithë vendi do të protestojë për çmimin e lartë të naftës – më i shtrenjti në të gjithë Europën.

Nesër në orën 11.00, do të ndalojmë për 5 minuta makinat kudo ku jemi, në shenjë protestë për çmimin e karburanteve, por edhe për energjinë, për taksat dhe çmimet e larta që po rrënojnë ekonominë individuale, familjare dhe kombëtare.
Nesër në orën 11.00, do të mbajmë protestën e parë masive dhe demokratike për të drejtat ekonomike dhe sociale. Shqiptarët do protestojnë jo për pushtetin e dikujt por për veten e tyre, për fëmijët dhe prindërit e tyre, për një jetë dinjitoze që e meritojnë. Nga rrugët, sheshet dhe autostradat e këtij vendi do t’i dërgojmë një mesazh të qartë Qeverisë se pushteti është një e mirë publike, jo një mjet represiv në duar të papërgjegjshme. Se ky vend ka nevojë për një qeveri të ndjeshme që përkujdeset për fatet e qytetarëve jo për një qeveri që zhvat paratë, shton ankthin dhe pasigurinë e tyre. Nesër me 26 Janar në orën 11.00, do të ndalojmë për 5 minuta makinat tona kudo ku jemi duke kundërshtuar skemën tiranike të qeverisë që shtrydh popullin deri në pikën e fundit. Përmes protestës do t’i tregojmë qeverisë se nuk mund të luajë si të dojë me fatet e njerëzve. Çdo ditë njoftohet se çmimi i naftës po ulet kudo në botë. Vetëm në Shqipëri, qytetarët nuk përfitojnë nga uljet e tregut ndërkombëtar. Pse ndodh kjo? Sepse ky vend qeveriset nga një arrogant, cinik dhe rritës i pandalshëm taksash, që ka braktisur me kohë popullin dhe interesat e tij. Ky njeri ka vetëm axhendën e pushtetit personal e klikës së tij, axhenden e interesave të oligarkëve dhe botës kriminale që e rrethon. Ndryshe nga i gjithë globi, kryeministri rriti taksat duke shkuar thellë e më thellë në xhepat e shqiptarëve për të marrë edhe qindarkën e fundit. Etja e tij për pushtet absolut, politik dhe ekonomik është kundër çdo logjike zhvillimi dhe mirëqënie dhe po godet rëndë mbijetesën e njerëzve. Po si mundet që Shqipëria të jetë jashtë çdo trendi botëror, e izoluar si në kohën e regjimit totalitar, e pandjeshme me çfarë ndodh në vendet fqinje, në rajon, në Europë dhe në mbarë botën. Si mundet që një kryeministër të bëjë krejt të kundërtën e asaj ç’ka duhet, lypset dhe kërkohet?! Në vend që t’u vijë në ndihmë qytetarëve, bëhet makthi i tyre i përditshëm, bëhet këmisha e forcës që po u merr çdo ditë frymën dhe oksigjenin. Nafta është energjia e zhvillimit ekonomik. Ulja e çmimit të naftës, ul çmimin e transportit, ul koston e shërbimeve dhe të jetesës. Qeveritë në mbarë botën luftojnë ta ulin çmimin e naftës ndërsa këtu rritet artificialisht. Dy herë, në dy vitet e fundit, qeveria rriti taksën e qarkullimit. Mbi 60% e çmimit të naftës që paguajmë sot shkon në xhepat e qeverisë. Detyrohemi të paguajmë 1008 lekë taksat Rama në çdo litër karburant që blejmë. Kjo gijotinë në qafën e shqiptarëve me të ardhura 3 herë më të ulëta se mesatarja europiane, është një krim që duhet ndalur. Kjo është mendësia që i sheh njerëzit si skllevër të qeverisë që nuk punojnë për veten e tyre, për familjet e tyre por për taksat e pushtetit. Produktet bazë të jetës shtrenjtohen jo nga tregu por nga taksimi i pandershëm i qeverisë. Rast unik në Europë – godet kriza por godet pa mëshirë edhe regjimi Rama-Meta.

-Një fjalë goje janë taksat për Ramën që tallet sa herë lajmëron rritje taksash dhe taksa të reja. Ju shoh që mbaheni, nuk keni vdekur, u thotë kryeministri sipërmarrësve.

– Një fjalë goje janë paratë për qeverinë por jo për qytetarët që paguajnë luksin qeveritar për çdo litër karburant që blejnë.

-Një fjalë goje janë për kryeministrin edhe fasha e energjisë, dhe rritja e çmimit të energjisë me 25 për qind;

– Një fjalë goje është edhe rritja e taksave dhe tatim fitimit me 50% që po shtyn biznesin drejt falimentimit.

Por këto nuk janë fjalë goje, por qindra mijë orë mundi dhe djerse të qytetarëve shqiptarë. Këto janë para që i merr pa djersë oligarku i “shtëpisë së gjetheve”, por i nxjerr me mundin e punës në shi, diell dhe të ftohtë, shqiptari i thjeshtë anembanë vendit. Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten. Erdhi koha t’i tregojmë qeverisë se nuk e pranojmë më rritjen e taksave, të çmimeve, të padrejtësive dhe arbitraritetit. Erdhi koha të marrim në dorë ndryshimin e vërtetë, të kthejmë vendin në rrugën e normalitetit. Protesta e nesërme në oren 11.00 është vetëm hapja e një pranvere protestash të pandalshme, masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisë sipas qejfit. Nuk do t’i lejojmë të sundojnë sipas trilleve, me bandat e tyre kriminale e me stoqet e një korrupsioni të frikshëm që është instaluar në çdo zyrë publike. Nuk do të jetë Shqipëria atdheu i padrejtësive ku i pamunduri vret veten në qeli se është lënë si kriminel vetëm për një debi energjie 35 mijë lekëshe, teksa debitoret 205 milionësh krekosen në parlament të mbrojtur nga dyshja Rama-Meta. Nuk do jetë Shqipëria vendi ku qytetarëve të ndershëm u tregohen dhëmbët shtazarakë të pushtetit, ndërsa kriminelët e trafikantët e partisë ndajnë zonat e influencës dhe postet, ndajnë fitimet me dyshen Rama-Meta. Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11.00 të fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi, të tregojmë dinjitetin e shqiptarit, forcën e shumicës për të mbrojtur familjen dhe vendin. Pranvera e protestave po nis dhe ky regjim anti-popullor do të ndalet.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: