KORÇË

Kryedemokrati Lulzim Basha konfirmoi nga Korça vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund aksionit të opozitës. Në një takim me strukturat e Partisë Demokratike të Korçës, ai tha se Rama është i mbaruar politikisht dhe moralisht para çdo shqiptari dhe se falë qëndresës së qytetarëve ka lindur shpresa.

“Edi Rama është një njeri i mbaruar politikisht. Ne jemi këtu sot jo vetëm për të konfirmuar vendosmërinë tonë për t’i shkuar deri në fund betejës sonë, që bëhet për çdo shqiptar, edhe për socialistët, por për të bërë që të kumbojë bashkë me vendosmërinë tonë edhe mesazhi i shpresës dhe besimit, tek e nesërmja e mirë që po vjen. Ajo që më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme, është se bashkë me vargun e gjatë të makinave, që kishin dalë të më prisnin, të gjithë qytetarët e tjerë shprehën entuziazëm. Aty ku ka qëndrese, aty ku ka pjesëmarrje, ku ka përballje, aty lind shpresa, lind besimi. Dhe falë qëndresës, përballjes dhe pjesëmarrjes, jo vetëm demokratëve, por të gjithë qytetarëve që i janë bashkuar kësaj beteje, ka rilindur shpresa dhe besimi se Korça dhe Shqipëria, do të kenë një të ardhme më të mirë, me një qeveri që mendon për popullin dhe kujdeset për qytetarët”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb