Nga ELDA MENGA*

Lulzim Basha nuk do të jetë kandidat i Partisë Demokratike në garën për Tiranën. “News24” ka mësuar se kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kreu i Partisë Demokratike, nuk do të rikandidojë për një mandat të dytë.

Ndërkohë, baza ka propozuar 6 emra për garën e Tiranës, të cilët do të shqyrtohen në mbledhjen më të afërt të kryesisë. Ata janë: Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani; deputetja Jorida Tabaku; koordinatorja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma; deputeti Halim Kosova; deputetja Majlinda Bregu dhe Gerti Bogdani.

Pasditen e së mërkurës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të mbledhë aleatët për të negociuar për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Në këtë takim, kryedemokrati pritet të zhvillojë negociatat si dhe të dëgjojë pretendimin e partive aleate për zonat ku ata synojnë të kandidojnë.

Partia Republikane ka shpallur ambicien për Bashkinë e Durrësit, ku ka vendosur të kandidojë Agron Dukën. Sa i takon këtij qyteti, Partia Republikane ka shprehur shqetësim se po futen sekserë. Për këtë qëllim ditën e martë ora 11:00, një ditë para takimit me kreun demokrat, kryerepublikani Fatmir Mediu pritet të mbledhë forumin drejtues të partisë për të vendosur edhe kandidurat për 61 bashkitë e vendit.

Kreu demokristian Nard Ndoka ka bërë me dije 6 bashkitë ku synon të ketë kandidatët e saj, ndërkohë pritet që LZHK të kërkojë përfaqësim vetëm në këshillat bashkiakë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: