Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha ka ndarë një video nga bashkëbisedimi me të rinjtë, në të cilën ai komenton vendimin e vulës dhe hapat që do të ndjekin pas vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar.

Sipas Bashës gara e ardhshme elektorale nuk mund të zhvillohet nën sloganin se kush është më pak i korruptuar, Rama apo Berisha, por duhet të ketë një alternativë që tejkalon kryeministrin dhe ish-kryeministrin.

Ndër të tjerat Basha thekson se demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje me ofertën dhe ekipin e tyre.

Basha thekson se çështjen e vulës së PD do e çojë deri në Strasburg po të jetë e nevojshme, duke paralajmëruar kështu vijimin e betejës ligjore. “Nuk mund të pranojmë që padrejtësia të kthehet në normë në këtë vend”, shprehet Basha.

Në vijim, kreu i demokratëve euroatlatikë thekson se Berisha ndodhet në arrest shtëpie dhe po hetohet nga SPAK, ndërsa është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, ndërsa shprehet se “nuk jemi fraksion i Berishës”.

Pjesë nga deklarata e Lulzim Bashës

Nga ana ligjore ky është një vendim katastrofë. Është sikur t’ju vijë dikush në shtëpi t’ju thotë, çohuni se kjo nuk është shtëpia juaj, është shtëpia ime dhe nuk ke të drejtë as të ankohesh në Gjykatë.

Dhe pikërisht, në rradhë të parë, për të mos pranuar padrejtësinë dhe në rradhë të dytë, për të mos pranuar që Sistemi i Drejtësisë t’i kthehet rrugëve të vjetra, do të bëjmë apelin, do ta çojmë në Gjykatë të Lartë. Do ta çojmë në çdo shkallë të Drejtësisë, deri në Strasburg. Sepse nuk mund të pranojmë, që padrejtësia të kthehet në normë në këtë vend.

Bëhen gati t’i servirin shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme, pyetjen: Kush është më pak i korruptuar, Edi Rama, apo Sali Berisha? A është kjo pyetja që zgjidh hallet e shqiptarëve?

Ndërkohë, tjetri është i përcaktuar non grata Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe. Është aktualisht në arrest shtëpie dhe hetim për korrupsion. Është përjashtuar me vendimin tim. Dhe ti nga mëngjesi deri në darkë, çohesh me obsesionin e Sali Berishës. Në fakt, duhet të shkojmë te qytetarët me një ofertë politike. Nëqoftëse identiteti jonë është anti-berishizmi atëherë më vjen keq, por duhet të përgatiten për një fund simetrik. Ça do të thotë kjo? Që në momentin kur të mos ketë më berishizëm, nuk ka më Parti Demokratike Euroatlantike?

Nuk jemi fraksion i Berishës. Madje, as nuk e pranojmë Berishën për fraksion. Rrugët tona janë ndarë njëherë e mirë. Asgjë s’ka ndryshuar.

Demokratët euroatlantikë patjetër do të jenë në zgjedhje. Kjo alternative do të jetë para shqiptarëve. Alternativa që mos të zgjedhim më kryeministrin, apo ish-kryeministrin, por të zgjedhim një rrugë të re për vendin, do të jetë para shqiptarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb