TIRANË
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë para mediave në orën 13:00 për të informuar qytetarët për vendimet e grupit parlamentar. Basha ka deklaruar zyrtarisht se grupi parlamentar vendosi të djegë mandatet duke numëruar arsyet që çuan në këtë vendim. Ndërkaq grupi i PD ka autorizuar Bashën të ndjekë hapat e mëtejshëm.
“Të nderuar gazetare e gazetarë, të nderuar operatorë, të dashur bashkëqytetarë! Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ju njoftoj për vendimin që grupi mori me votë unanime. Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga media ndërkombëtare…
Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, eliminimit të gjykatës Kushtetuese, kapjes totale të sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve, duke përfshirë dhe të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës që kanë shkaktuar një situatë të pa precedentë të krizës ekonomike, të migracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social, duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar, të një qeverie tranzitore të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë e hapjes së negociatave me BE, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, të parakohshme parlamentar, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e dalë me votat e krimit e mafies në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017″, tha Basha.
Ai theksoi se Grupi parlamentar i PD autorizoi kryetarin e partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e PDSH.
(m.k/BalkanWeb)